Ndërlidhjet

MINISTRI I JASHTËM TURK VIZITON KOSOVËN


Rrahman Paçarizi,Prishtinë

Turqia e mbështet zgjidhjen e statusit politik të Kosovës sipas vullnetit demokratik të popullit të saj, ka thënë sot në Prishtinë, Ministri i Jashtëm dhe zëvendësministër i Turqisë, Abdullah Gul, gjatë një vizite që i ka bërë Kosovës me ç’rast ka takuar zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë e vendorë. Shefi i diplomacisë turke, Gul tha se Kosova po kalon nëpër momentin e saj më të rëndësishëm historik, për të realizuar dëshirat e popullit të saj përmes procesit të bisedimeve të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara:
"Ne si Turqi e mbështesim vendimin e Kombeve të Bashkuara e po ashtu edhe vullnetin demokratik të popullit të Kosovës," tha ministri Abdullah Gul, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi, i cili tha se në qershor të vitit të ardhshëm Kosova do të jetë shtet demokratik, ashtu si edhe shtetet e tjera të rajonit:
"Ne presim që më 24 të këtij muaji Këshilli i Sigurimit të marrë vendimin për hapjen e bisedave për statusin përfundimtar të Kosovës. Populli i Kosovës shpreson shumë në këtë proces dhe është i bindur se ai do të jetë pozitiv dhe në qershor të vitit 2006 kur të përmbyllet ky proces, Kosova do të bëjë hapin më të rëndësishëm në historinë e vet dhe do të jetë shtet demokratik, evropian, sikur të gjitha shtetet e tjera të rajonit."
Ndërkaq, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ka këmbëngulur për njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës, duke shprehur njëkohësisht gadishmërinë për realizimin e pavarësisë sipas rrugës që ka përcaktuar bashkësia ndërkombëtare:
" Pas raportit që do të dalë në Këshilli i Sigurimit nga ambasadori Eide, pritet të fillojë rruga ndërkombëtare që të bisedohet për të ardhmen e Kosovës që për ne është pavarësia, ndërsa unë ngul këmbë për një njohje direkte të pavarësisë".
Edhe kryetari i PDK-së, si partia më e madhe opozitare, Hashim Thaçi, tha se ishte inkurajues qëndrimi i Ministrit të Jashtëm turk Abdullah Gul, se zgjidhja e statusit duhet bëhet në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës:
"Edhe Turqia, edhe Kosova janë në kthesa historike të proceseve politike dhe qytetare. Turqia në fillim të procesit të integrimit në BE dhe Kosova në fillim të procesit të përcaktimit të statusit politik. Unë kam besim edhe në suksesin e Turqisë edhe të Kosovës."
Ministri i jashtëm i Turqisë, Abdullah Gul, që në këtë vizitë shoqërohej nga një grup parlamentarësh të vendit të tij, u takua sot edhe me kryetarin e Kuvendit Nexhat Daci, i cili tha se do të dëshironte që Turqia të bëhet një lokomotivë që të arrijë e para në Bruksel dhe me vete ta marë edhe Ballkanin, ndërkohë që Turqinë e ka vlerësuar të rëndësishme për një fazë të ardhshme të përcaktimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:
"Vullneti ynë është që në një të ardhme tjetër për shkak të pasurisë së madhe që gjendet në arkivat e Turqisë, e që kanë ndihmuar për raportet Palestinë-Izrael, për raportet Bosnjë-Serbi, nesër do të na duhen për raportet pronësore, Kosovë-Serbi".
Ministri i jashtëm i Turqisë, vendi i të cilit ka një prani ushtarake në Kosovë në kuadër të forcës paqeruajtëse, ka takuar sot edhe ushtarët që vijnë nga vendi i tij dhe përfaqësues të pakicave kombëtare që janë të përfaqësuar në parlamentin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG