Ndërlidhjet

LËMSHI NË KOSOVË EDHE PAS KAQ SHUMË VJETËSH


The New York Times

Gjashtë vjetë që kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka shndërruar Kosovën në një zonë të vetën, i njëjti institucion ka kërkuar fillimin e bisedimeve mbi statusin e ardhshëm për të lënë përshtypjen se rezultati i këtyre bisedimeve nuk është vendosur ende. Por, rezultati është vendosur dhe është pavarësia. Grupi i Kontaktit e ka hedhur poshtë mundësinë e kthimit të Kosovës nën pushtetin serb, bashkimin me Shqipërinë dhe ndarjen e saj. Së këndejmi, detyra e Marti Ahtisaarit, i cili do të kryesojë bisedimet, është të formojë edhe një shtet të pavarur nga ish Jugosllavia. Mirëpo, Kosova nuk është e përgatitur për pavarësinë. Shumica shqiptare ka treguar jotolerancë ndaj pakicës serbe dhe kapacitet të dobët në vetëqeverisje. Kosova nuk ka ushtri, por vetëm një forcë të re policore dhe mafie të fuqishme. I vetmi udhëheqës i shqiptarëve që lë përshtypjen e një udhëheqësi autoritativ është presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili vuan nga kanceri në mushkëri. Pasardhësi i tij i mundshëm ndërkaq, Ramush Haradinaj është akuzuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës dhe ai është dorëzuar.
Në anën tjetër, serbët nuk janë të gatshëm që vullnetarisht të heqin dorë nga ky territor dhe trazirat e marsit të vitit 2004 kanë bërë që serbët të mos kenë besim në një Kosovë të pavarur. Shqiptarët ndërkaq nuk besojnë se serbët do të hiqnin dorë nga spastrimi etnik, po ta kishin pasur mundësinë, prandaj të dyja palët nuk do të pajtohen kurrë. Po, pse atëherë Kombet e Bashkuara kanë vendosur të ecin përpara? Deri tani nga Kosova është kërkuar një demonstrim i përgjegjësive në vetëqeverisje para fillimit të bisedimeve mbi statusin, por një arranzhman i këtillë është treguar artificial dhe i parealizueshëm. Shefi i administratës ndërkombëtare, Soren Jessen-- Petersen, ka thënë se kjo qasje ka krijuar një pasiguri tek të gjitha palët dhe i ka mbajtur larg investitorët e huaj. Pra, koha ka ardhur që të njihet rezultati i pashmangshëm, pavarësia e Kosovës. Një gjë e këtillë mund t’i detyrojë serbët që të pajtohen me fatin se Kosovën e kanë humbur në vitin 1999. Shqiptarët në Kosovë mund të dëshmojnë një udhëheqje më të fuqishme, nëse u thuhet se janë duke punuar për pavarësinë dhe jo për bisedime që mund të çojnë drejt pavarësisë.
Madje, edhe me qëllimet më të mira, një Kosovë e pavarur do të ketë nevojë për forca ndërkombëtare dhe mbikqyrje të fuqishme edhe për shumë kohë. Në Ballkan, disponimi i zakonshëm është dhuna.


XS
SM
MD
LG