Ndërlidhjet

QEVERIA DHE UNMIK-U ME QËNDRIME TË NDRYSHME RRETH MITROVICËS


Albana Isufi, Prishtinë

Administrata ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës kanë qëndrime të ndryshme rreth mënyrës së zgjidhjes së problemit të Mitrovicës. Shefi i UNMIK-ut thotë se çështja e Mitrovicës duhet të zgjidhet në kuadër të procesit të negociatave.
“Shefi i UNMIK-ut tha se ne nuk kemi qenë në gjendje që të adresojmë me sukses këtë çështje dhe kjo mbetet të zgjidhet gjatë procesit të zgjidhjes së statusit. Kjo qartazi nënkupton se duhet punuar në planet e vjetra që të sigurohemi se zgjidhja do të jetë në interes të kosovarëve”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh.
Por, zëvendëskryeministri Adem Salihaj hedh poshtë mundësitë e zgjidhjes së çështjes së Mitrovicës në kuadër të procesit të negociatave.
“Unë nuk kam njohuri dhe ne nuk kemi marrë ndonjë qëndrim që çështja e këtyre pjesëve të Kosovës të trajtohet në procesin negociator. Mendoj se s'do të trajtoheshin dhe nuk do duhej të hynin në këtë proces sepse ne do të diskutojmë për zgjidhjen e problemit të pakicës serbe dhe të pakicave të tjera, por kjo nuk do të thotë se kjo do të kufizohet në ndonjë pjesë të Kosovës, ose në pjesën veriore të saj etj."
Salihaj mendon se çështja e qytetit të ndarë duhet zgjidhur duke u bazuar në legjislacionin e Kosovës.
“Ne mendojmë se çështja e Mitrovicës nuk duhet të jetë pjesë e negociatave. Mitrovica është pjesë e Kosovës dhe pjesë të tjera që janë në veri të Mitrovicës, do të trajtohen si pjesë të Kosovës dhe do të kërkohen zgjidhje në kuadër të Kornizës kushtetuese, kushtetutës së ardhshme të Kosovës, ligjeve që do të jenë në fuqi. Të gjitha ato pjesë do të trajtohen njëlloj si edhe pjesët e tjera e Kosovës."
Pavarësisht dallimeve rreth mënyrës së zgjidhjes së çështjes së Mitrovicës, qeveria dhe UNMIK-u kanë diçka të përbashkët. Asnjëra palë nuk ka plan konkret se si të zgjidhin çështjen e veriut të Kosovës.
Neeraj Singh thotë se nuk është e domosdoshme, që çdoherë të ketë plan të shkruar.
“Kjo është një çështje ku UNMIK-u po punon së bashku me udhëheqësit e institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse, me udhëheqës e komunitete, me udhëheqësit e Beogradit. Natyrisht tashmë, kur po fillojnë bisedimet për statusin, Mitrovica do jetë në agjendë. Nuk mund të thuhet se nuk ka plan konkret, pasi që nuk është e thënë, që çdoherë të kesh të shkruar planin në letër,” tha Singh.
Plan në letër nuk ka as qeveria. Megjithatë zëvendëskryeministri Adem Salihaj, thotë se ka përparime në integrimin e qytetit të ndarë.
“Mund të them se ka përparime të vazhdueshme. Nuk është zgjidhur në tërësi ky problem, por mund të them se ka ndryshim shumë të madh prej viteve të mëparshme. Mendoj se procesi tregon që kjo pjesë për një afat të caktuar do të integrohet plotësisht në tërësinë territoriale dhe në të gjitha institucionet e Kosovës."
Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen ka pranuar për herë të parë se bashkësia ndërkombëtare ka dështuar të adresojë çështjen e veriut të Mitrovicës.
UNMIK-u dhe organizata të tjera joqeveritare kanë pasur disa plane për riintegrimin e qytetit, në të cilin ende funksionojnë struktura paralele të kontrolluara nga Beogradi. Por, asnjëri nuk është zbatuar në praktikë.
Ndërkaq, kohë më parë në raportin e tij për Mitrovicën, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka tërhequr vërejtjen se ky qytet do ta sfidojë statusin përfundimtar të Kosovës.
XS
SM
MD
LG