Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

DECENTRALIZIMI TË MBETET JASHTË BISEDIMEVE PËR STATUSIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qëllimi i procesit të decentralizimit është formimi i komunave të reja dhe përcaktimi i kompetencave të tyre, në mënyrë që pushteti lokal t’u afrohet qytetarëve. Ky proces është posaçërisht i rëndësishëm për komunitetin serb, pasi besohet se do të zgjidhë problemet e ekzistencës dhe kthimit të serbëve.
Oliver Ivanoviq, bartës i Listës serbe për Kosovën e Metohinë, thotë se përmes decentralizimit synohet të përmirësohet pozita e serbëve:
"Aktualisht serbët nuk kanë qasje të duhur në institucionet e pushtetit lokal dhe serbët e Graçanicës nuk kanë qasje në komunën e Prishtinës," tha Oliver Ivanoviq, sipas të cilit, mundësitë e serbëve për t’u stabilizuar janë të vogla me këtë koncept të pushtetit lokal.
Edhe pse decentralizimi ka filluar me formimin e pilot-komunave në mjediset me shumicë shqiptare dhe turke, në mjediset serbe nuk ka ndodhur kështu, pasi serbët nuk kanë pranuar, duke kërkuar që një vendbanim i tillë të përfshinte edhe fshatrat e tjera serbe. Për këtë çështje, ndërkohë pritet të diskutohet në bisedat për statusin e Kosovës.
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Neeraj Singh thotë se pavarësisht faktit që decentralizimi është çështje e Kosovës, është mirë të dëgjohen edhe qëndrimet e Beogradit:
"Decentralizimi është proces që do ta udhëheqë Prishtina, por krahas kësaj është me rëndësi që të merren parasysh edhe shqetësimet e Beogradit dhe të dëgjohen idetë e tyre, ashtu siç ka thënë edhe shefi i UNMIK-ut," tha zëdhënësi Singh.
Diskutimet për decentralizimin vijnë në kohën kur nisin edhe bisedat për statusin e Kosovës. Edhe pse zyrtarët e Kosovës dhe ata të UNMIK-ut thonë se decentralizimi nuk duhet të jetë pjesë e bisedave për statusin, por çështje që do të zgjidhej në kuadër të reformës së pushtetit lokal, disa herë është paralajmëruar se kjo mund të jetë një nga temat që megjithatë do të diskutohen.
Rangjel Nojkiq nga Lista Serbe thotë se bisedat për statusin, decentralizimi dhe standardet duhet të shkojnë paralelisht, por nuk guxojnë ta kushtëzojnë njëri-tjetrin:
"Varësisht nga respektimi i standardeve dhe nga respektimi i decentralizimit do të shkojë edhe zgjidhja e statusit," tha Rangjel Nojkiq.
Ivanoviq thotë se procesi i decentralizimit mund të zgjidhet duke biseduar me popullatën lokale, pasi që bisedat e statusit do të jenë të ngarkuara me çështje të tjera:
"Padyshim se decentralizimi do të jetë i rëndësishëm gjatë procesit të negociatave, edhe pse unë mendoj se kjo është e gabueshme dhe se decentralizimi duhet të zgjidhet në kuadër të pilot-projekteve," tha Ivanoviq.
Ivanoviq mendon se një reformë e qëndrueshme dhe afatgjatë e pushtetit lokal varet nga miratimi i ligjit me të cilin do të përcaktoheshin kompetencat dhe buxheti i komunave të reja nga çka do të varet edhe struktura e vetë procesit dhe mënyra e zbatimit.





XS
SM
MD
LG