Ndërlidhjet

U MBAJT TAKIMI I RREGULLT I MEKANIZMIT PËRCJELLËS PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bashkimi Evropian i ka hapur Kosovës perspektivën për integrime dhe kjo është edhe agjenda dhe angazhimi i qeverisë së Kosovës, ka thënë sot kryeministri Bajram Kosumi. Këto komente ai i bëri në hapjen e takimit të radhës së Mekanizmit Përcjellës për Kosovën, që vepron në kuadër të Stabilizim-Asociimit. Koha që është para nesh për integrimin e Kosovës në BE është e arsyeshme dhe e pranueshme, tha kryeministri Kosumi. Ndërkohë, shtoi ai, Kosova po punon në zhvillimin ekonomik dhe harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane, përparimet në fushën e respektimit të drejtave të njeriut dhe pakicave e çështje të tjera. Këto vlera, sipas Kosumit, nuk janë të imponuara, por janë vlera të mirëfillta të cilat kosovarët duan vetë t’i arrijnë:
“Perspektiva evropiane vetëm sa e bën më të lehtë arritjen e synimeve tona. Duke e përcjellë modelin e sprovuar të BE-së për realizimin e reformave dhe duke përdorur asistencën financiare të BE-së në mënyrën e duhur, besojmë se do të arrijmë që në mënyrën më të fuqishme dhe më të shpejtë të nxisim zhvillimin e duhur dhe zhvillimin që duam ta kemi në vendin tonë”, tha Kosumi.
Ndërkohë, zëvendës-shefi i UNMIK-ut, Lary Rossin tha se që nga data 21 nëntor e këtij viti, për Kosovën ka filluar një epokë e re historike, duke pasur parasysh se këtë ditë ndodhi dhe vizita e emisarit të Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahtisari, që ka shënuar fillimin e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës.
Zoti Rossin tha se zhvillimet rreth statusit e bëjnë këtë kohë më tepër nxitëse për ata që janë në Kosovë, kurse vitin tjetër, sipas tij, përderisa bisedimet vazhdojnë në Kosovë, do të shtohen në njërën anë shpresat e në anën tjetër edhe shqetësimet se si do të përfundojë i tërë procesi.
Njerëzit e Kosovës, theksoi Rossin, edhe pas statusit do të kërkojnë qeverisje të mirë, shërbime të mira publike, do të kërkojnë punë, stabilitet, siguri e perspektivë për fëmijët e tyre. Prandaj, zëvendës kryeadministratori Rossin kërkoi përqendrim të institucioneve në zbatimin e standardeve për një jetë më të mirë të kosovarëve, para dhe pas përcaktimit të statusit.
Takimi i sotëm i Mekanizmit Përcjellës kishte për qëllim shqyrtimin e zhvillimit të përgjithshëm politik dhe ekonomik, në përputhshmëri me vlerat e Bashkimit Evropian. Mekanizmi Përcjellës, është krijuar për shkak të statusit të pazgjidhur të Kosovës, pasi statusi i pazgjidhur ia pamundëson Kosovës të jetë pjesëmarrëse e plotë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.






XS
SM
MD
LG