Ndërlidhjet

QEVERIA E OPOZITA ME QËNDRIME TË NDRYSHME RRETH PLANIT TË DECENTRALIZIMIT


Grupi Politik Strategjik duhet që deri më 9 janar të bëjë gati planin bazë të decenetralizimit, i cili më pas do t'i dorëzohet Grupit Negociator të Kosovës, kanë bërë të ditur anëtarë të Grupit Politik Strategjik. Derisa zyrtarë të opozitës thonë se plani aktual dallon nga ai i mëparshmi, zyrtarët në pushtet pohojnë të kundërtën.
Kryeministri Bajram Kosumi ka thënë se plani bazë nuk dallon nga ai që Qeveria ka promovuar më parë.
"Puna që është bërë deri tani në Qeveri është harmonizuar krejt dhe është dhënë si një dokument i tërë, por nuk ka një plan tjetër apo plan rezervë nga ai që ka qenë më herët. Më herët kemi folur për planin A e B vetëm për pilot komunat", tha Kosumi.
Ndërkohë, anëtari i Grupit Politik Strategjik nga radhët e opozitës, Jakup Krasniqi, e ka quajtur planin bazë të decentralizimit si konfuz dhe shumë të përgjithësuar.
"Janë disa parime aty që kryesisht janë marrë me çështje që nuk duhen dhënë. Kemi kërkuar që ky dokument të jetë dokument çfarë duhet, të jetë më konkret dhe më gjithpërfshirës", thekson Krasniqi.
Por, ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri thotë se ky plan thekson qartë angazhimet e qeverisë dhe obligimet që duhen ndërmarrë në raport me një dinamikë më të madhe të reformës në vitin 2006, ku përfshihet roli i institucioneve në procesin e decentralizimit.
"Nuk ka dallim në principe, përveçse ka angazhime serioze që i bëjnë ofertë serioze bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë proces. Besoj se është dokument që ka nevojë edhe më tutje të punohet edhe në nivel të ekspertëve vendorë që do ta trajtojnë këtë problem."
Jakup Krasniqi nga Grupi Politik Strategjik thotë se nga tash e deri më 9 janar ministri i Pushtetit Lokal me ndihmën e një grupi ekspertësh vendës e ndërkombëtarë, do ta rishikojnë sërish planin.
"Ky plan duhet të përpunohet nga grup ekspertësh. Parimet që janë dorëzuar nuk janë punuar nga ekspertëtet, janë shumë të përgjithësuara, konfuze dhe nuk i përgjigjen objektivave që duhet t'i ketë procesi i decentralizimit, si proces në vazhdim."
Por, Haziri thotë se tashmë plani është i gatshëm dhe se mbetet t'i vishen vetëm kornizat politike.
"Plani është i gatshëm. Është ripërpunuar dhe duhet t'i vendosen kornizat politike nga Grupi Negociator si përgjegjës kryesor. Ky do jetë dokument kryesor i institucioneve tona dhe Ekipit Negociator."
Plani bazë i decentralizimit duhet të jetë i gatshëm për takimin e radhës ndërmjet negociatorëve kosovarë dhe të dërguarit të OKB-së per negociata Marti Ahtisari, i cili pritet të arrijë në Kosovë në muajin janar.

Albana Isufi
XS
SM
MD
LG