Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, që ishte i parnishëm në mbledhjen e mbrëmshme, e gjeti vetveten në një situatë ku duhej të balanconte mbajtjen e vlefshmërisë së Rezolutës 1244 në njërën anë dhe ta mirëpresë rolin e Bashkimit Evropian në Kosovë.
"Është pikëpamje imja se këto zhvillime aktuale me gjasë do të kenë implikime të rëndësishme operacionale për UNMIK-un, i cili do të vazhdojë ta konsiderojë Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 si kornizë juridike për mandatin e tij dhe ne do të vazhdojmë ta implementojmë këtë mandat në prizmin e evoluimin e rrethanave. Duke pritur udhëzimet e Këshillit të Sigurimit, unë mund t'u përshtatem zhvillimeve dhe ndryshimeve në terren", tha Ban Ki-Moon.
I pyetur se a konsideron se Deklarata për Pavarësinë e Kosovës është legale ose ilegale, zoti Ban Ki-Moon tha se nuk është punë e tij që të vlerësojë.
Italia, që është anëtare e Këshillit të Sigurimit në këtë mandat, i bëri një rezyme qëndrimit të Bashkimit Evropian.
Ambasadori i Italisë në Kombet e Bashkuara, Marchelo Spatafora, tha se nën kushtet unike që u zhvilluan në Kosovë, plani i Martti Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur ishte i vetmi opsion i mundshëm.
"Pavarësia e Kosovës sot është fakt. Është realitet i ri, me të cilin ne duhet të ballafaqohemi dhe ta njohim. Është koha që të lëvizim përpara. Ne, së bashku me shumicën e vendeve të BE-së, do të lëvizim shpejt në njohjen e statusit të ri, të pavarur të Kosovës, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Kufizimet e pavarësisë janë të qarta, prania e bashkësisë ndërkombëtare atje është e fuqishme", tha ambasadori italian, Spatafora.
Shtetet e Bashkuara, së bashku me disa prej vendeve më të mëdha të Bashkimit Evropian, tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Në takimin e mbrëmshëm të Këshillit të Sigurimit, Kina sikur e kishte ashpërsuar qëndrimin e vet, pasi ambasadori kinez Wang tha se Kina e mbështet plotësisht Rusinë dhe Serbinë në kundërshtimin ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në këtë aspekt, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, kërkoi nga Këshilli i Sigurimit që të anulohet Deklarata e Pavarësisë së Kosovës.
"Shteti serb ka lindur në Kosovë, e cila paraqet pjesën qendrore të identitetit tonë. Ky akt i shpalljes e anulon të drejtën ndërkombëtare dhe paraqet padrejtësi", tha Boris Tadiq.