Ndërlidhjet

VARFËRIA NUK I LEJON TË SHKOJNË NË SHKOLLË FËMIJËT E FAMILJES AHMETI


Bekim Bislimi, Prishtinë

Në çdo mbrëmje, jeta për familjen 5 anëtarëshe të Naman Ahmetit zhvillohet brenda një dhome të vogël të një barrakeje në afërsi të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, me kushte të rënda për të banuar dhe për ta mbajtur higjenën. Zoti Ahmeti, tha se i kishte 60 vjet dhe se me atë moshë e kishte të vështirë për ta përballuar varfërinë.
"Jemi pesë veta me gruan, dy djemtë dhe vajzën. Të ardhurat e liga i kemi. Unë i marr 62 euro në muaj. Gruaja fshin disa shkallë nëpër banesa deri në tre deri në katër çdo ditë dhe i sjell në shtëpi 30 euro në muaj. Unë punoj ndonjëherë me kolicë këtu në treg dhe e marr nga 1 euro, por çfarë mund të bësh me 1 euro? Vetëm një paketë cigare. Muajin nuk e nxjerr, por me atë rrojmë. Bukë djathë, patate, ndonjë shpezë. Blejmë veç këto. Për asgjë tjetër nuk del."
I biri i zotit Ahmeti, Durimi, tha se prindërit e kishin vështirë që t’ia siguronin kushtet për shkollim dhe ai ishte i detyruar që të punonte për t’i ndihmuar ata.
"Kam 12 vjet, jam në shkollën "Faik Konica", shkoj në klasën e katërt. Dal me kolica në pazar, ngarkoj 80-90 kile, rëndon por duhet të ngrihet. Kështu i nxjerr 2-3 euro dhe duhet me ble bukë për shtëpinë se libra nuk po mund të ble. S'kam lekë të ble as veshje."
Një vogëlushe e cila po ngrohte duart pranë kubesë, me të dëgjuar të përmenden librat, afrohet afër dhe pyet zotin Ahmeti, se kur do te shkojë në shkollë. Zoti Ahmeti nuk i dha përgjigje të bijës, ndërkaq ajo tha:
"I kam 7 vjet dhe emrin Qëndresa e kam. Këta në shkollë nuk më kanë çuar. Nuk kemi libra, nuk kemi çfarë të hamë dhe çfarë të veshim. Nuk më kanë blerë rroba se nuk kemi patur të holla. Kam dëshirë të shkoj në shkollë. Kam qef.. por s'kemi... duhet të rri në shtëpi."
Nuk mundem t’ua plotësoj as nevojat elementare fëmijëve tha zoti Ahmeti. Ai shtoi se në barrakën ku janë të vendosur jetojnë edhe 4 familje të tjera, të cilat e shfrytëzojnë bashkarisht një banjo dhe toalet, ndërkaq dhoma e tyre ishte e ngushtë për të gjithë anëtarët e familjes së tij.
"Banjon e kemi të përbashkët, e shfrytëzojmë së bashku. Ka telashe. E nxehim ujin në një kusi në guzhinë dhe lahemi në banjën e përbashkët. Këtu fle djali i madh. Unë gruaja dhe vajza flemë në tokë, ndërsa më tutje djali tjetër. Kemi nja dy sfungjera por mundemi me u sëmur nga lagështia dhe të ftohtët, me u prish fëmija dhe vetë. Çfarë të bëjmë, duhet me ul kryet dhe ndenjt. Çfarë të bëjmë tjetër?"
Fundi i gjithë kësaj më duket i keq dhe nuk di kujt t'i kërkoj ndihmë tha zoti Ahmeti, duke shtuar se më vështirë e përjeton pyetjen e përditshme të Qëndresës së vogël, “kur do të shkoj në shkollë? ”


XS
SM
MD
LG