Ndërlidhjet

MOORE:"BE-ja IMPONON UNIONE TË DËSHTUARA"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, prioritet i Kosovës gjatë vitit 2004 do të jetë realizimi i standardeve si parakusht për hapjen e çështjes së statusit. Cilët sipas jush janë standardet më të rëndësishme?


PATRICK MOORE
Mendoj se janë tri standarde që kanë një rëndësi të veçantë, ndërsa njëri prej tyre përfshinë gjithashtu dy standarde të tjera në dokumentin aktual. Pika e parë përfshin lirinë e lëvizjes dhe të kthimit. Këto standarde kryesisht përfshijnë serbët dhe pakicat e tjera dhe Kosova do të gjykohet nga bashkësia ndërkombëtare pikërisht për çështjen e komunitetit serb. Pra, në mënyrë që diskutimet për pavarësinë të bëhen realitet duhet të ketë një progres solid në standardet që lidhen me serbët, e këto janë lëvizja e lirë dhe kthimi. Pika e dytë, ndërkaq është sundimi i ligjit, pasi pa një sundim të ligjit, asgjë nuk mund të funksionojë, përevçse mund të ketë vetëm një xhungëll. Pa një sundim të ligjit - pronat, ekonomia, politika, siguria, gjithëçka bëhet irrelevante. Më parë, pra duhet të ketë sundim të ligjit. Pika e tretë që do të përmendja është çështja ekonomike. Kjo për arsye se është mjaft e qartë që paqja dhe progresi janë shumë të ndërlidhura.

RADIO EVROPA E LIRË
Instituti gjerman për politikë të jashtme dhe siguri në Berlin ka vlerësuar se njohja e përshpejtuar e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të Kosovës. A pajtoheni ju me këtë vlerësim?


PATRICK MOORE
Mbi të gjitha më lejoni të citoj një artikull të publikuar në "Frankfurter Algemaine Zeitung" nga miku im Stefan Trypst nga Lajpcigu, pak pas luftës së vitit 1999. Profesori Trypst argumentoi që në atë kohë se çdo shtyrje e pavarësisë do të çonte në destabilizimin e situatës dhe një plan i qartë drejt pavarësisë, një pavarësi e arsyeshme dhe e shpejtë do ishte rruga më e mirë për t'i dhënë fund çdo nervozizmi dhe pasigurie dhe do të promovonte siguri në rajon. Pra nuk e di pse dikush flet tani në 2004-ën për një njohje të përshpejtuar të pavarësisë, pasi po bëhen 5 vjet që kur ka mbaruar lufta. Burimi gjerman i kësaj është interesant. Gjatë luftës në Kroaci dhe në Bosnjë, Gjermania personifikohej nga Hans Ditrih Gensher, i cili ishte një person që dinte çfarë ishte e mirë dhe çfarë ishte e keqe, dhe ishte i aftë që ta impononte veten e tij veçanërisht për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kroacisë dhe Sllovenisë. Tani kemi një qeveri gjermane tepër të ndërgjegjshme, që për fat të keq jo gjithëmonë arrin të bëjë dallimin mes të mirës dhe të keqes dhe gjithashtu nganjëherë preferon zgjidhje shumë të lehta dhe fitimprurëse. Kjo është mjaft e njejtë me mentalitetin e Bashkimit Evropian. Do të doja të shtoja edhe diçka tjetër: në shumë media gjermane dhe institute që bëjnë analiza ende ka njerëz të cilët kanë lidhje të vjetra me Beogradin që nga vitet 70-80 dhe ka madje njerëz me origjinë serbe të cilët shkruajnë dhe punojnë në këto institucione. Kjo mund të ketë kontribuar në disa nga këto diskutime në Gjermani kundër pavarësisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Morton Abramovic këtë javë ka shkruar në "Uashington Post" se bashkëpunimi amerikano-evropian në aspektin e përfundimit të luftës në Bosnje dhe Kosovë kërcënon që nga një sukses të shndërrohet në dështim. Ai shton se disa qeveri perëndimore janë kundër pavarësisë së Kosovës. Cilat janë këto qeveri dhe si e shihni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
Është e vështirë të thuhet se cilat qeveri vërtet e mendojnë dhe e thonë këtë në mënyrë private. Siç e përmenda më parë, ka një mentalitet brenda Bashkimit Evropian që pëlqen zvarrritjen pa fund dhe zgjidhjet e lehta, por e dimë, siç e përmendi dhe profesori Trypst në vitin 1999, shtyrja mund të jetë e rrezikshme. Kështuqë kujtoj se me siguri do të jetë e rrezikshme nëse njerëzit në Kosovë mendojnë që UNMIK-u do vazhdojë të jetë në Kosovë më shumë se 2-3 vjet të tjera. Do të thoja që ndoshta ka zëra të fuqishëm në qeveritë franceze dhe britanike kundër pavarësisë, ndoshta në Gjermani gjithashtu, por nuk e di. Nuk do të doja të thoja me siguri, pasi dal jashtë asaj që vërtet e di. Megjithatë e shikojmë se ka një dogmë gati të karakterit religjioz brenda Bashkimit Evropian kundër çdo shpërbërjeje të mëtejshme të ish-Jugosllavisë dhe kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian e detyroi krijimin e Unionit Serbi Mali i Zi, gjë të cilën, madje as opinionin publik në Serbi nuk e do.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do reflektohen rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Serbi në raportet Prishtinë-Beograd-Podgoricë?

PATRICK MOORE
Së pari, që nga viti 1999 Prishtina nuk duhet të jetë pjesë e këtij ekuacioni, sepse Serbia e humbi Kosovën në 1999, pavarësisht se disa njerëz në qeverinë serbe e kanë kuptuar këtë kurse disa të tjerë jo. Dhe me përjashtim të Madlin Ollbrajtit në librin e saj "Kujtimet", shumë pak njerëz në Perëndim kanë qenë të gatshëm ta thonë këtë gjë publikisht. Një rezultat për Kosovën i zgjedhjeve serbe është se do të ketë një rol kryesor ndoshta në postin e kryeministrit, ndoshta në ndonjë post tjetër për Vojisllav Koshtunicën. Më kujtohet kur e vizitova Prishtinën dhe në bisedat rreth zgjedhjeve serbe, disa analistëve në fillim të nëntorit u thashë se besoj që pas këtyre zgjedhjeve do t'u duhet të merren me Koshtunicën përsëri. Tek asnjëri nuk hetova kënaqësi për këtë gjë. Mendoj që të gjithë e dimë se çfarë është ai: Koshtunica do t'i përdorë argumentat nacionaliste për çështjen e Kosovës, siç ka bërë Çoviçi dhe të tjerët për ta larguar vëmendjen në Serbi nga problemet ekonomike. Dhe në këtë rast mendoj se zgjedhjet në Serbi do të kenë influencë në Prishtinë, veçanërisht nëse komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të luajë këtë lojë të rrezikshme duke e lejuar Beogradin të mendojë se ka një rol për ta luajtur në të ardhmen e Kosovës. Sa i përket Podgoricës, e përmendëm më parë ngurrimin e Bashkimit Evropian që të lejojë vazhdimin e shpërbërjes së ish- Jugosllavisë. Shpresoj se nëse vazhdojnë të egzistojnë problemet në Serbi, njerëzit në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë do të kuptojnë që Unioni Serbi -Mali i Zi nuk ka të ardhme dhe që duhet të mos shtiren më sikur ky Union ka të ardhme. Përmendët ndërkaq në pyetjen më sipër artikullin e Morton Abramovicit ku ai i referohet Unionit Serbi -Mali i Zi dhe nxjerr në pah një fakt shumë të rëndësishëm që përmes këtyre negociatave për të krijuar këtë shtet të çuditshëm dhe për ta mbajtur atë, liderët në të dyja kryeqytetet kanë humbur një kohë shumë të çmuar. Mendoj se asnjëra prej këtyre vendeve, as Serbia as Mali i Zi, nuk kanë kaq shumë kohë dhe energji për të humbur.
Intervistoi: Melazim Koci

XS
SM
MD
LG