Ndërlidhjet

I PRANOJNË APO JO SERBËT INSTITUCIONET E KOSOVËS?


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit e subjekteve politike të bashkësisë serbe në Kosovë, shprehin mendime të ndryshme lidhur me atë nëse i pranojnë apo jo institucionet e Kosovës. Nga tri subjektet kryesore të minoritetit serb, vetëm koalicioni “Kthimi”, përfaqësohet në institucionet vendore. Mirëpo, edhe ky subjekt politik, sipas Dragisha Kërstoviçit, shef i grupit parlamentar të “Kthimi”, merr pjesë vetëm në qeveri dhe Kuvend, por jo edhe në disa trupa të tjerë, siç janë grupet për implementimin e standardeve dhe këshillin për bartjen e kompetencave.
“Nuk jemi të kënaqur me mënyrën se si punojnë këto institucione”, thotë Kërstoviç, për të shtuar se do të ishte në interes edhe të serbëve që të jenë më të pranishëm në institucione, por se sipas tij, pakënaqësitë janë kryesisht arsyeja pse nuk ka një përfaqësim të kënaqshëm të tyre në institucionet vendore. Në anën tjetër, Milan Ivanoviç, kryetar i Këshillit Nacional Serb, për veriun e Mitrovicës, subjekt ky që njihet si krahu radikal i politikës serbe në Kosovë, mendon se liderët serb duhet t’i bojkotojnë në tërësi institucionet e Kosovës:
“Sa e di unë, është duke u menduar që edhe koalicioni “Kthimi” të dalë nga të gjitha institucionet e Kosovës”, tha Ivanoviç. Arsyet për këtë qëndrim, sipas tij, janë se institucionet e Kosovës janë treguar jo-demokratike dhe se pakica serbe aty zakonisht është mbivotuar. Ndërkohë, Momçillo Trajkoviç, kryetar i Lëvizjes serbe të rezistencës, mendon se institucionet e Kosovës, duhet pranuar nëse ato tregohen të gatshme për një shoqëri multietnike:
“Mendoj se institucionet e Kosovës duhet t’i pranojmë për aq sa ato na pranojnë neve”, thotë Trajkoviç.
Në anën tjetër, një zyrtare e UNMIK-ut për çështjen e kthimit të personave të zhvendosur, Peggi Hiks, ka deklaruar këto ditë se serbët janë pajtuar t’i pranojnë institucionet e Kosovës dhe në kuadër të tyre t’i realizojnë të drejtat e tyre.
“Ata kanë deklaruar qartë se i pranojnë institucionet e Kosovës”, tha zonja Hiks.
Përndryshe, me Kornizën Kushtetuese, parashihet që serbët e Kosovës t’i kenë 10 vende të rezervuara në Kuvend. Pas zgjedhjeve të kaluara, ata i fituan dhe 12 vende të tjera. Kurse në qeveri, përfaqësohen nga një ministër dhe një post nënministror.




XS
SM
MD
LG