Ndërlidhjet

BUSH NEGLIZHON BALLKANIN


International Herald Tribune


Krimet në vendet e ish Jugosllavisë ishin të neveritshme, që mund të përshkruhen me ekzekutimet masive, dhunime në shkallë të gjerë dhe dëbime nën tytat e automatikëve të qindra mijëra njerëzve. Disa prej këtyre krimeve ndodhën përpara syve të diplomatëve, spiunëve, paqeruajtësve, gazetarëve, punëtorëve humanitarë, e madje edhe përpara kamerave. Përkundër të gjitha krimeve që kanë ndodhur në tokat që dikur përbënin Jugosllavinë, duket se administrata e presidentit amerikan George Bush e ka lënë në harresë Ballkanin, për shkak të preokupimeve me Irakun dhe luftën kundër terrorizmit.
Në Serbi, nacionalistët janë duke u ringjallur në jetën politike që nga vrasja e kryeministrit pro perëndimor të këtij vendi, Zoran Gjingjiq, në mars të vitit të kaluar. Votuesit madje nga listat e tyre zgjedhore kanë zgjedhur dy të akuzuarit e Tribunalit Ndërkombëtar në Hagë për krime lufte: Slobodan Milosheviqin, arkitektin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe Vojisllav Sheshelin, udhëehqësin e një formacioni paramilitar, i cili dikur pat thënë se kroatëve duhet nxjerrur sytë me lugë të ndryshkura.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, pejsazhi është gjithashtu i zbehur. Ky vend ka nevojë urgjente për një kushtetutë të re dhe nën presionin amerikan, ka nevojë për krijimin e një gjykate që do të gjykojë të dyshuarit për krime lufte. Një propozim i këtillë shihet në kuadër të përpjekjeve të administeratës së zotit Bush për të mbyllur Tribunalin Ndërkombëtar në Hagë dhe për të zvogëluar shpenzimet, ndonëse Washingtoni fillimisht pret që serbët t’i arrestojnë dy kriminelët më të famshëm të luftës, Radovan Karaxhiqin dhe Radko Mladiqin dhe pastaj ta mbyllë Tribunalin.
Statusi i Kosovës është një bombë e kurdisur, të rrahurat e së cilës dëgjohen në rrjedhat politike të Ballkanit. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë caktuar vitin 2005 për fillimin e bisedimeve mbi të ardhmen e këtij vendi. Kombet e Bashkuara ndërkaq janë duke zvarritur bartjen e përgjegjësive tek udhëheqësit vendorë, duke ua mundësuar radikalëve serbë dhe shqiptarë që të shfrytëzojnë këtë vakum dhe të gëzojnë më shumë përkrahje.
Vendet e brishta me kufi të kalueshëm paraqesin zona të përshtatshme për krimin e organizuar dhe terroristët. Pikërisht për këtë arsye Amerika duhet të veprojë dhe të përkrahë procesin e reformave demokratike në Ballkan, si mënyrë e vetme për të zgjidhur cështjet e mëdha.


XS
SM
MD
LG