Ndërlidhjet

THOMPSON: PËRMIRËSIM I SITUATËS SË SIGURISË NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

KFOR-i konsideron se Kosovës nuk i kërcënohet asnjë rrezik nga jashtë. Kërcënimet sipas zëdhënsit të KFOR-it Kris Tompson vijnë brendapërbrenda Kosovës.
“Nuk ka kërcënime nga jashtë për Kosovën. Por kërcënimet janë të brendshme. Ato janë : ekstremizmi, krimi i organizuar dhe terrorizmi”, thekson Tompson i cili mendon se gjatë muajve të fundit ka pasur raste të tilla të krimit, por pa specifikaur ndonjërin prej tyre.
Pavarësisht nga këto kërcënime KFOR-i ka ndërruar strategjinë e veprimit duke zvogëluar numrin e forcave në terren.
Sipas zëdhënësit të KFOR-it Kris Tompson e ashtuquajtura strategjia e informimit, mundëson operacione më të suksesshme dhe më efektive të KFOR-it.
“Situata e sigurisë është përmirësuar dukshëm vitet e fundit në Kosovë dhe kjo na mundëson neve që të racionalizojmë trupat dhe t’i bëjmë operacionet tona më efektive. Ne këtë po e bëjmë në mënyra të ndryshme, por operacioni ynë tani ka të bëjë me fushën informative. Ne po krijojmë zona të sigurisë për tërë Kosovën, në atë mënyrë që në vend se të rrimë ulur dhe të vëzhgojme ne po lëvizim nga ajo pikë duke pranuar informata nga patrullat lëvizëse," thotë Tompson duke shtuar se mbi 1000 patrulla të tilla lëvizin gjatë 24 orëve në Kosovë.
Tompson thotë se kjo strategji është përgatitur për një kohë të gjatë në KFOR.
Në kuadër të kësaj strategjie Tompson thotë se KFOR-i po i dorëzon shumë përgjegjësi që i ka pasur deri tani qoftë tek civilët, qoftë te autoritet policore.
Tompson thotë se KFOR- dhe NATO edhe më tej mbeten të përkushtuar që të ruajnë paqen në Kosovë, përkundër paralajmërimve për reduktime të forcave në vend.
“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së dhe gjenerali Kamerhof, e kanë bërë shumë të qartë se përcaktimi i NATO-s dhe KFOR-it për të mbajtur një ambient të sigurt do të vazhdojë dhe KFOR-i kurrë nuk do të reduktojë trupat në atë masë nëse e sheh se mund të rrezikohet siguria”, thotë Tompson.
Megjithatë Tompson thotë se gjërat kanë ndryshuar pas 11 shtatorit dhe se rreziku është më i madh në gjitha vendet e botës. Sipas tij ngritja e masave të sigurisë në Kosovë nuk ka të bëjë me Kosovën por me sigurinë në botë.
Në kuadër të KFOR-it tani për tani veprojnë 18 mijë e 400 ushtarë nga 34 shtete të botës.



XS
SM
MD
LG