Ndërlidhjet

KOFI ANNAN PRANON ÇMIMIN "SAKHAROV"


Augustin Palokaj, Bruksel

Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti ndaj viktimave të sulmit terrorist në selinë e misionit të OKB-së në Bagdad vitin e shkuar, Parlamenti Evropian i ka dhënë sot Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan çmimin "Sakharov".
Duke arsyetuar këtë shpërblim presidenti i Parlamentit Evropian Patrik Koks, ka lavdëruar punën e stafit të OKB-së në të mirë të njerëzimit dhe sidomos të ish përfaqësuesit të lartë të OKB-së për Kosovën e më vonë për Timorin Lindor dhe së fundi në Irak ku dhe gjeti vdekjen zotit Sergio Vieira de Mello.
" Asgjë nuk mund ta kompensojë dhimbjen tuaj, por dëshirojmë që ju ta kuptoni se edhe ne e ndiejmë atë dhimbje", tha Patrik Koks, duke ju drejtuar anëtarëve të familjeve të viktimave të këtij sulmi terrorist në Bagdad.
Ndërkaq Annan pasi mori shpërblimin tha:
"Jam thellësisht i prekur që nderuat mikun dhe kolegun Sergio Viera de Mello dhe shumë kolegë të tjerë të Kombeve të Bashkuara, të cilët humbën jetën duke punuar për paqen në botë. Gjithashtu jam krenar që në emër të tyre e pranoj çmimin "Sakharov"", tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe shtoi- "Ky çmim për lirinë e mendimit nuk është vetëm njohje e vlefshme e sakrificave të mëdha që ata kanë bërë për kauzën e paqes, kjo është gjithashtu mirënjohje për ata burra dhe gra të guximshëm që humbën jetën në Bagdad në 19 gusht", tha Annan.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i bëri ftesë Bashkimit Evropian që të udhëheqë në përpjekjet ndërkombëtare për të ndihmuar vendet në zhvillim, sidomos përmes një politike më humane ndaj emigrimit dhe refugjatëve. Ata të cilët sot emigrojnë nga vendet e tyre nuk ikin për shkak se dëshirojnë të largohen nga shteti amë, por për shkak se atje nuk shohin shpresë. Emigrantët sot ikin për të njëjtat arsye për të cilat me dhjetra miliona evropianë kanë ikur më parë nga shtetet e tyre, duke kërkuar strehim nga konfliktet, duke ikur nga varfëria, dhe duke kërkuar një jetë më të mirë, tha Annan dhe shtoi:
"Evropa e mbyllur për migrantët do të ishte një Evropë e dobët, e varfër dhe e vjetër, por Evropa e hapur do të ishte më e pasur, më e begatë dhe më e re", porositi Kofi Annan shtetet evropiane, duke bërë thirrje që të kenë një politikë më humane ndaj çështjes së emigracionit.
Në ceremoninë e dhënies së çmimit " Sakharov", Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në Parlament ishin edhe disa prej laureatëve të mëparshëm të këtij çmimi, të cilët posaçërisht i përshëndeti kryetari i Parlamentit Patrik Koks. Aty ishte i pranishëm edhe presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, si laureat i mëhershëm i të njëjtit çmim, të cilin nga kosovarët e ka fituar po ashtu edhe zoti Adem Demaçi.


XS
SM
MD
LG