Ndërlidhjet

MOORE:"KOSHTUNICA DO TË QEVERISË ME PËLQIMIN E SOCIALISTËVE"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Pas zgjedhjes së presidentit të parlamentit të Serbisë është bërë e qartë se tani Vojisllav Koshtunica është afër zgjedhjes kryeministër. Atë e mbështet dhe Partia Socialiste e Millosheviçit. Çdo të thotë kjo për skenën politike të Serbisë?

PATRICK MOORE
Më kujtohet se, kur vizituam Kosovën, shumë njerëz ishin shumë të pakënaqur me disa gjëra që zoti Çoviç po i thoshte e po i bënte. Por, krejt çfarë ai mund të bënte ishte të fliste. Ai nuk kishte shumë pushtet dhe fliste në mënyrë që ta shtonte pushtetitn e tij. Por ai tash do të largohet. Ajo për të cilën isha i shqetësuar ishte rikthimi i Koshtunicës, që do të kthehet pa praninë e një politikani të tipit të Gjingjiqit, nga Partia Demokratike, që do të balanconte. Ajo që kemi tash është se Koshtunica do të qeverisë me pëlqimin e partisë së Millosheviçit. Kjo do të thotë se Koshtunica do jetë shumë më tepër kokëfortë sesa ka qenë më parë në çështjet që lidhen me Hagën, Kosovën apo gjithçka që ai do. Ai gjithmonë gjen justifikime, i agrumenton gjërat me terma juridike dhe flet për ligjin, por ai mund t'i ndryshojë argumentet e tij dhe ligjet mjaft shpejt, në varësi të qëllimeve të tij politike. Pra do të kemi një Koshtunicë shumë më të ashpër sesa ishte më parë, kur ishte president i Jugosllavisë dhe i duhej të merrej me Gjinxhiçin dhe qeverinë. Shtrohet pyetja se a do ketë ndonjë balancë kundër kësaj? Çelsi i kësaj do të mbetet në sjelljen e ndërkombëtarëve, sepse pavarësisht sesa kokëfortë Koshtunica dhe miqtë e tij duan të jenë, ndërkombëtarët do vazhdojnë të kenë nën kontroll anën financiare, e shumë gjëra të tjera dhe mund të ushtrojnë presion. Kjo më çon të ta shtroj pyetjen për rolin e socialistëve. E dimë që përdorën nacionalizmin si mjet për të përfituar para, pushtet dhe territor. Nacionalizmi nuk ishte qëllimi i tyre i vërtetë. Këta njerëz kanë qenë jashtë pushtetit për disa vjet, kanë qenë të privuar nga avantazhet e pushtetit dhe thjesht po shtroj çështjen se a do të kanë më tepër vullnet për të bërë kompromis për çështje të caktuara nën interesin e qëndrimit në pushtet. Kjo për faktin se dyshoj se socialistët në Serbi, po shikojnë përtej kufijve ku HDZ-ja e Kroacisë është rikthyer në pushtet dhe tash gëzon avantazhet e pushtetit. Mendoj se kjo gjë socialistëve ju ka munguar dhe mendoj se kjo është ajo që kërkojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se me këto zhvillime u është dhënë goditje dhe forcave proreformiste në Serbi dhe ku janë shkaqet e disfatës së tyre?

PATRICK MOORE
Për t'u kthyer në një çështje që sapo ngrita për socialistët, nuk e di sesa shumë këta njerëz ishin të interesuar në një program ideologjik, por janë më të interesuar në mbrojtjen e interesave, përfshirë ato ekonomike dhe politike të grupit të tyre të veçantë, të klikës së tyre, miqve të tyre në biznes, në polici, në ushtri. Nuk dua të them se bota politike është vetëm me djaj por gjithashtu nuk mendoj se është vetëm me engjëj. Pra mendoj se duhet parë si një koleksion grupesh me interesa të ndryshme dhe do të shkojnë në drejtimin se si i shohin interesat e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të reflektohet konfiguracioni i ri politik i Serbisë në rajon dhe veçanërisht në raportet ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës?

PATRICK MOORE
Kjo është ndoshta një mundësi për Malin e Zi. Siç e dëgjuam nga zoti Krivokapiç dhe të tjerët gjatë javëve të fundit, ata thonë që ajo që ndodh në Serbi është e pasigurt, e paqëndrueshme… Nëse do të rikthehen socialistët, kjo është diçka nga e cila në rradhë të parë duan të largohen malazezët me mbështetjen nga jashtë dhe kjo mendoj se forcon pozitën e grupit që do pavarësinë në Malin e Zi.
Siç e thashë dhe më lart çelës do të jetë sjellja e ndërkombëtarëve, sepse ata kanë pozitat që mund të kontrollojnë shumë gjëra. Nëse insistojnë që Mali i Zi të rrijë në union me Serbinë, të cilin njerëzit me shaka e quajnë Solania, atëhere do të ketë probleme. Por nëse arrijnë ta kuptojnë si atëhere kur Gjukanoviçi filloi ndarjen e tij nga Millosheviçi disa vjet më parë, nëse kuptojnë që është më mirë që ta ndajnë këtë lidhje shtetërore ku malazezët ecin në rrugën e demokracisë ndërsa serbët kanë probleme, atëhere mendoj se do të jetë në të mirën e Malit të Zi, por siç e thashë është diçka që do duhet të vendosin të huajt dhe nga ajo që kam parë deri tash është se Bashkimi Evropian vazhdon të insistoj për ekzistimin e vetëm një shteti. Rrjedhimisht, nuk e di se si do të përfundoj kjo punë.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG