Ndërlidhjet

TMK- MOSPJESËMARRJA E SERBËVE VËSHTIRËSON PËRMBUSHJEN E STANDARDIT TË TETË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Standardi për Trupat e Mbrojtjes së Kosovës në rrugën e tij të përmbushjes po ndeshet me obstruksione të ndryshme nga Beogradi dhe liderët e serbëve vendorë, kanë vlerësuar zyrtarë të TMK-së, të cilët problemin kryesor në këtë rrugë, e shohin përfshirjen e pjesëtarëve të komunitetit serb.
Në të vërtetë, koalicioni "Kthimi" në vërejtjet që i ka bërë dokumentit Standardet për Kosovën, ka kërkuar që TMK-ja të mos ekzistojë fare. Dragisha Kërstoviç, shef i grupit parlamentar të këtij koalicioni, shpjegon qëndrimin e koalicionit që udhëheq lidhur me TMK-në:
"Ne jemi të mendimit që standardi për TMK-në të ndryshohet në mënyrë që, jo të parashihet reduktimi nga 5000 në 2500, por që thjesht TMK të mos ekzistojë," tha Kërstoviç, sipas të cilit ndonjëherë krijohet përshtypja se TMK-ja është një mbështetje logjistike për organizata terroriste që janë shfaqur në Kosovë.
Zëdhënësi i TMK-së, koloneli Shemsi Syla duke iu përgjigjur këtyre akuzave thotë se kjo është politikë e vazhdueshme e Beogradit për të penguar përmbushjen e standardeve:
"Është e vërtetë se ka shumë pengesa që vijnë nga një politikë, e cila gjithnjë drejtohet kah presioni që serbët të mos përfshihen në TMK dhe politika serbe nga Beogradi ka një qëndrim që kryesisht ata t’i ftohë dhe të bëjë nganjëherë edhe kërcënime që ata të mos jenë në TMK dhe kjo është pengesë shumë e madhe pasi situata politike është e tillë," tha zëdhënësi i TMK-së, duke vlerësuar se politika e Beogradi po përpiqet ta paraqesë TMK-në si një rrymë ekstreme që ka një të kaluar jo të mirë. Zoti Syla thotë se TMK është në shërbim të të gjithëve, prandaj pjesëtarët e të gjitha komuniteteve e kanë vendin në TMK.
Standardi i tetë kërkon që në TMK të ketë një përfshirje prej 10 për qind të serbëve. Mirëpo, kolonel Syla thotë se deri më tani ka pasur vështirësi për përfshirjen e serbëve, megjithëse situata e krijuar është shumë e volitshme, pasi ka numër të kënaqshëm, por jo edhe të dëshirueshëm të pjesëtarëve të komunitetit serb në TMK.
"Deri më tani kemi të përfshirë 32 pjesëtarë të cilët janë të angazhuar dhe kanë detyra të njëjta në TMK, varësisht nga detyrat që kryejnë," tha zoti Syla duke premtuar angazhimin e TMK-së për të bërë gjithshka është e mundur për përfshirjen e numrit të kërkuar dhe të dëshiruar të serbëve në TMK.
Mirëpo, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, e pranojnë hapur se propagojnë mospërfshirjen e serbëve në këtë organizatë, tha Dragisha Kërstoviç:
"Me vetë faktin që mendojmë se TMK-ja duhet të shuhet, ne nuk jemi për hyrjen e serbëve në TMK, edhe pse kemi informacione se disa serbë tashmë janë futur në TMK," tha Dragisha Kërstoviç, sipas të cilit këta serbë nuk e kanë marrë këtë vendim me miratimin e udhëheqjes së serbëve të Kosovës.
Analistë vendorë kanë thënë se standardi për TMK-në, bashkë me standardin për kthimin, janë dy standardet më të vështira për t'u realizuar, pasi për këtë nevojitet një bashkëpunim edhe i përfaqësuesve të serbëve të Ksoovës, të cilët deri më tani kanë refuzuar të jenë pjesë e grupeve të përbashkëta punuese për përmbushjen e standardeve.

XS
SM
MD
LG