Ndërlidhjet

HYSA: QENDRËS KOORDINUESE I MUNGON LEGJITIMITETI, NDËRSA ÇOVIÇI NUK ËSHTË QEVERITAR


Ylber Hysa, drejtor i KACI-t

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri dhe shefi i Qendrës Koordinuese të Serbisë për Kosovën, Nebojsha Çoviç janë pajtuar dhe kanë marrë vendim që dialogu teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të fillojë në javën e fundit të shkurtit ose në javën e parë të marsit. Si e vlerësoni ju një vendim të tillë?

YLBER HYSA
Besoj se një vendim i tillë vjen pas një kohe kur kryeqytetet e kanë bërë të qartë përkrahjen për një dialog teknik për ta mbajtur gjallë këtë pjesë të standardeve dhe sipas kësaj bindjeje, ky dialog do të mund të ishte mbajtje e një procesi që mund të çojë drejt implementimit të standardeve. Çështja gjithnjë mbetet nëse një dialog i tillë vërtet do të zgjidhë probleme dhe do të ndërtojë mirëbesim, siç është shpjeguar arsyeja nga qarqet ndërkombëtare, duke parasysh se ky nuk duket të jetë një prioritet i fokusuar as i Beogradit dhe as i Prishtinës, aq më tepër që jemi dëshmitarë që Beogradi nuk po arrin të krijojë një qeveri të qëndrueshme dhe në këtë aspekt roli i zotit Çoviç është shumë i paqartë në këtë proces. Megjithatë, duket që dialogu kështu siç është paramenduar edhe do të ndodhë, mirëpo është e paqartë se çfarë do të sjellë ai.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, ju e përmendët faktin se në Serbi ende nuk ka arritur të krijohet një qeveri e re, ndërkohë partner për dialog është zgjedhur Qendra Koordinuese e Çoviçit. Si do të ndikojë ky fakt për vetë dialogun dhe për rifillimin e tij?

YLBER HYSA
Qendra Koordinuese për Kosovën e Beogradit nuk është treguar si një partner i qëndrueshëm dhe serioz, ndërsa në rastin konkret asaj i mungon edhe legjitimiteti në kuptimin që zoti Çoviç nuk përfaqëson më një qeveritar. Më duket se është ideja që të mbahet gjallë kjo çështje, por në Beograd askujt nuk i intereson kjo çështje dhe ia kanë lënë në dorë zotit Çoviç që ta mbajë këtë proces. Në secilin rast nuk duket që Qendra Koordinuese të jetë një partner afatgjatë dhe i qëndrueshëm, mirëpo me siguri për momentin është konsideruar si një adresë që duhet shfrytëzuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi tha se nuk do të pranojë dialogun që nga ana e Serbisë do të udhëhiqet nga Qendra Koordinuese. Si mendoni ju se do të sillet qeveria e Kosovës e gjetur në një situatë të tillë, kur ndodhet mes dy zjarresh: më së pari ka të bëjë me Qendrën Koordinuese, ndërsa në anën tjetër ka të bëjë me një presion ndërkombëtar për një çështje e cila është edhe pjesë e standardeve?

YLBER HYSA
Konsideroj se qeveria e Kosovës ka treguar gadishmëri që të involvohet në këtë proces, por në këtë aspekt ka sjellë edhe qasjen e saj që mbron interesat reale, sipas të cilave Qendra Koordinuese nuk shihet si një partner serioz dhe fakti që dikush dëshiron të ketë seriozitet në këtë proces është për t’u përshëndetur. Arsyet e njërës palë në këtë proces duhen marrë seriozisht në mënyrë që dialogu të mos jetë kozmetik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, kur flasim për standardet, dihet se serbët e Kosovës janë vonuar për t’u përfshirë në grupet punuese për përmbushjen e standardeve. Cila sipas jush është arsyeja reale e vonesës së tyre?

YLBER HYSA
Konsideroj që pala serbe në Kosovë nuk ka dashur të përfshihet në këtë proces dhe këtu ka qenë çështja e mungesës së vullnetit politik. Pala serbe më shumë ka qenë e interesuar që të tjerët të jenë përgjegjës për këtë proces dhe këtu është një nonsens, pasi përmbushja e standardeve në një masë të madhe, ka të bëjë me përmirësimin e jetës së serbëve të Kosovës, prandaj pa pjesëmarrje në proces, është vështirë të pritet rezultat. Në këtë aspekt serbëve të Kosovës u është bërë e qartë edhe nga faktori ndërkombëtar se një rol i tillë obstruksionist i tyre nuk do t’i ndihmojë askujt. Por është ndoshta e nevojshme që nga pala kosovare të kërkohet të definohet se një qasje e tillë obstruksioniste, nuk do të pengojë përmbushjen e standardeve, prandaj në këtë aspekt serbët e Kosovës do të jenë humbës nëse e pengojnë këtë proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund zoti Hysa, kryeadministratori i Kosovës Holkeri ka pranuar kërkesën e Çoviçit dhe të Qendrës Koordinuese për Kosovën për të riaktivizuar Grupin e Lartë Punues që kishte dalë nga marrëveshja Haekkerup-Çoviç. Çfarë do të thotë kjo?

YLBER HYSA
Po, kjo mua nuk më duket një ide e mirë, pasi tashmë ekziston një plan konkret siç është implementimi i standardeve ku në mënyrë të qartë parashihet mënyra e adresimit të problemeve. Një institucion si ka qenë Grupi i Lartë Punues që është promovuar në një kohë, e ka shpenzuar rolin e vet dhe nuk konsideroj se është mënyra më e mirë për t’i adresuar këto probleme, si rrjedhojë nuk mund të kombinohen këto dy instrumente. Prandaj, konsideroj se plani për përmbushjen e standardeve që e ka përkrahjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të Grupit të Kontaktit dhe Quintit mendoj se ka një vlerë më shumë sesa një marrëveshje e arritur nga ish-SRSG dhe një ish qeveritar serb.

Intervistoi Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG