Ndërlidhjet

TRAFIKUESIT SHQIPTARË OFROJNË DERË TË PRAPME PËR TË HYRË NË ZONËN E SCHENGENIT


Jane’s Intelligence Review

Vdekja e 20 emigrantëve ilegalë në ujërat e Adriatikut më 9 janar ka përqëndruar vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar në rolin që luan Shqipëria në emigracionin e paligjshëm dhe trafikimin e njerëzve. Varfëria në Shqipëri, qeveria e saj e dobët dhe tradita e mungesës së rendit dhe ligjit, krijojnë hapësirë për krimin e organizuar. Në të shumtën e rasteve, Shqipëria hyn në zinxhirin e trafikimit ndërkombëtar dhe zakonisht shërben si territor tranzit për trafikim, edhe pse ka raste kur shndërrohet në vend që furnizon rrjetet kontrabanduese me narkotikë, armatim, duhan të paligjshëm dhe njerëz të trafikuar, qofshin ata emigrantë të paligjshëm apo femra të destinuara për prostitucion. Në aspektin më të gjerë, rëndësia e Shqipërisë në rrugët e trafikimit në Ballkan qëndron në bregdetin e saj, që prek Italinë dhe Greqinë dhe në kontrollin e dobët të qeverisë në pjesët veriore të këtij vendi. Për grupet kriminale që kontrabandojnë nëpërmjet Ballkanit nga Turqia për shembull, sfidë e madhe paraqet hyrja në zonën e Bashkimit Evropian të Shengenit. E ashtuquajtura “Rruga ballkanike” për transportimin e heroinës nga Turqia kalon kryesisht nëpër rajonin e Kosovës dhe Maqedonisë. Incidenti i 9 Janarit është shembull që dëshmon për aktivitetet e kontrabanduesve në det. Gomonet nuk mund të vërrehen nga rojat e bregdetit dhe ato nuk janë të furnizuara me mjete të domosdoshme të komunikimit. Një shqiptar duhet të paguajë 1600 deri në 2200 dollarë amerikanë për t’u transportuar ilegalisht nëpërmjet këtyre gomoneve deri në Itali, ndërkaq kurdët dhe afganët duhet të paguajnë disa herë më shumë për të emigruar nga vendet e tyre në ato të Bashkimit Evropian. Nga paratë që marrin, trafikuesit paguajnë mito për rojat e kufirit, dokumente të fallsifikuara të identifikimit dhe transportin me anije deri në Itali.
Megjithë përpjekjet për të luftuar trafikimin nëpërmjet organizatave të ndryshme civile, qofshin ato ndërkombëtare apo vendore, dobësia e institucioneve shtetërore në Shqipëri është ajo që i pengon këto përpjekje. Policët vuajnë nga paga e ulët prej 100 eurosh në muaj, nga trajnimi i dobët dhe korrupsioni endemik. Në të njëjtën situatë gjenden edhe strukturat gjyqësore dhe Shërbimi Informativ, të cilat kanë shënuar dështime në detyrën e tyre anti – trafikim. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria është vendi më i varfër në Evropë. Autoritetet vendore thonë se 750 mijë shqiptarë jetojnë në varfëri të skajshme, 23 për qind janë zyrtarisht të papunë, lokacionet në veri të Shqipërisë nuk kanë madje as rrugë për t’i lidhur me qytetërimin dhe jetojnë në kushte jashtëzakonisht të rënda. Nëse këtyre të dhënave i shtohet fakti i egzistimit të një shteti të dobët dhe të korruptuar përballë suksesit të dukshëm të krimit të organizuar, nuk është e çuditshme pse njerëzit mëtojnë të pasurohen ose të largohen prej andej sa më shpejt që të jetë e mundur.


XS
SM
MD
LG