Ndërlidhjet

SHBA TË FRUSTRUARA ME NGATHTËSINË E TRIBUNALIT TË HAGËS


Financial Times

Aktpadia kundër Sllobodan Millosheviçit është ngritur më 1999, në kohën kur NATO-ja bombardonte Serbinë dhe ai tashmë qe shndërruar në një të përndjekur ndërkombëtar. Vetëm katër vjetë më parë, Millosheviçi ishte figurë që ka dominuar skenën në Dayton të Ohios, duke negociuar mbi marrëveshjen që i dha fund luftës në Bosnjë, pavarësisht nga fakti se Shtetet e Bashkuara atëhere kishin dëshmi për të ngritur aktpadinë kundër tij për masakrimin e mijëra muslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë.
Një qasje të tillë disa e kanë quajtur të dyshimtë, disa të tjerë pragmatike, por ka edhe të tillë që thonë se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar në mënyrë selektive mbi të dyshuarit për krime lufte.
Daniel Serwer, ekspert mbi Ballkanin në Institutin Amerikan për Paqe, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë përkrahur gjithmonë gjykimin e zotit Millosheviç në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës. Por, sipas tij, administrata e zotit Bush ka edhe dyshime rreth proceseve në Hagë, meqë ekzistencën e këtij Tribunali kjo administratë e sheh si një formë trysnie për të pranuar Gjykatën Kriminale Ndërkombëtare, e cila tashmë është kundërshtuar nga zoti Bush.
Qëndrimi amerikan është që Tribunali t’i japë fund punës së tij në vitin 2010, por e frustruar me dinamikën e ngathtë në Tribunalin e Hagës, administrata amerikane favorizon gjykatat vendore nën mbikqyrjen ndërkombëtare. Në këtë kuadër, Saddam Husseini sipas të gjitha gjasave do të gjykohet nga irakienët.
Richard Holbrooke, ish i dërguari i posacëm amerikan në Ballkan dhe arkitekt i Marrëveshjes së Daytonit, është i tmerruar me vendimin e administratës së zotit Bush për të tërhequr 1 200 ushtarët nga Bosnja në kohën kur të dyshuarit për krime lufte vazhdojnë të jenë në arrati. Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit politike në Serbi, analistët në Washington thonë se administrata e zotit Bush duket e vendosur në qasjen që të mos lejojë hyrjen e nacionalistëve në qeverinë e re, por Shtetet e Bashkuara janë duke i humbur miqtë në Beograd, ndërkohë që disa nga aleatët me të fuqishëm që i kanë pasur në skenën politike serbe, tashmë janë dobësuar për shkak të skandaleve me korrupsionin.


XS
SM
MD
LG