Ndërlidhjet

ZHAGITJA E VAZHDIMIT TË PRIVATIZIMIT DËMTON KOSOVËN


Bekim Bislimi, Prishtinë

Ndonëse takimi i kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi dhe shefit të administratës ndërkombëtare, Harri Holkeri nuk rezultoi me zhbllokimin e procesit të privatizimit, megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk duhet të heqë dorë nga kërkesat që ia ka parashtruar administratës ndërkombëtare, ndër të cilat është edhe shkarkimi i drejtoreshës së Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit, Maria Fuçi, thotë nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovë, Mustafë Ibrahimi.
“Mendojmë se Qeveria kurrësesi nuk duhet të heqë dorë nga kërkesat e veta sepse komuniteti i biznesit mendon njëlloj si Qeveria e Kosovës. Në anën tjetër, unë mendoj se blerësit e ndërmarrjeve, të cilat janë privatizuar duhet shumë shpejt ta shpejtojnë procedurën e padive kundër Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit, sepse Shefi i Shtyllës së Katërt, vërtet është duke bërë lojëra shumë të mbrapshta rreth nënshkrimit të kontratave dhe me këtë rast të gjitha subjektet, të cilat kanë blerë apo ndërmarrjet, të cilat i kanë blerë, duhet ato padi t’i dorëzojnë sa më shpejt pranë gjykatave kompetente”.
Isa Mustafa, nënkryetari i Institutit për Hulumtime Zhvillimore, “Riinvest”, thotë se, tendencat të cilat aktualisht janë në procesin e privatizimit dhe që po manifestohen përmes përfaqësuesve të UNMIK-ut në Agjencionin Kosovar të Mirëbesimit, nuk janë të pranueshme për Kosovën.
“Shihet që ata tentojnë që më tutje privatizimin ta bëjnë, jo në bazë të rregullores për të cilën në një formë është arritur një pëlqim edhe i palës kosovare apo të politikave operacionale, mirëpo ato të ndërrohen dhe praktikisht të mbizotërojnë politikat e Qeverisë së Serbisë në privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, gjë që do t’i ndryshonte plotësisht raportet e privatizimit dhe do t’i sillte investitorët apo firmat, të cilat i privatizojnë këto ndërmarrje, në një situatë pa rrugëdalje”.
Ndërkaq zoti Ibrahimi thekson:
“Kur është nxjerrë rregullorja mbi themelimin e Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit kanë qenë kërkesat identike me këto, të cilat tani për tani mundohet zonja Fuci dhe zoti Lambsdorf t’i aplikojnë apo t’i implementojnë në politikat operacionale. Është e pavërtetë dhe gënjeshtër notore se politikat operacionale nuk janë miratuar asnjëherë. Pala kosovare apo anëtarët e bordit, kosovarë, kanë deklaruar publikisht se ato politika operacionale janë miratuar dhe ato politika operacionale janë në fuqi. Çdo tentim tjetër që kjo çështje të rikthehet në pozicionin e parë, është në dëm të ekonomisë së Kosovës”.
Ndërsa, zoti Mustafa thotë se procesi i privatizimit është politizuar dhe bllokimi i këtij procesi është duke shkaktuar humbjen e besimit të blerësve të deritashëm të ndërmarrjeve shoqërore si dhe të investorëve të rinj, të brendshëm dhe të jashtëm. Bllokimin e procesit të privatizimit, zoti Mustafa e ka vlerësuar si shembullin më të keq të qeverisjes nga ana e UNMIK-ut në Kosovë, por duke mos e përjashtuar as përgjegjësinë e vendorëve.
“Mendoj se ajo që mungon këtu është një tolerancë dhe një kulturë e domosdoshme e bashkëpunimit, të cilën UNMIK-u tani duhet ta manifestojë këtu dhe duhet ta pranojë realitetit tonë ashtu siç është pranuar realiteti i viseve tjera të ish-Jugosllavisë, të cilat e kanë bërë privatizimin, sepse nuk është bërë privatizimi në bazë të asnjë koncepti të shteteve apo vendeve tjera në një vend, por është bërë koncepti në bazë të interesave të atij vendi, duke e respektuar edhe të drejtën e pronës mbi pasurinë shoqërore, të cilën duhet ta pranojnë ata edhe në Kosovë”.
Sidoqoftë, të dy këta ekspertë për çështje ekonomike, kanë shprehur mendimin e përbashkët se për zhbllokimin e procesit të privatizimit duhet të angazhohen drejtpërdrejt instancat më të larta të administratës ndërkombëtare dhe vendore, duke përfshirë kryeadministratorin, kryetarin, kryeministrin dhe kryeparlamentarin e Kosovës.



XS
SM
MD
LG