Ndërlidhjet

NJOHJA E MEMORANDUMIT PËR BASHKËPUNIMIN RAJONAL, KËRKESA KRYESORE E GRUPIT KOSOVAR PËR ENERGJETIKËN


Albana Isufi, Prishtinë

Tregu rajonal i energjetikës dhe bashkëpunimi do të jenë pika fillestare të bisedimeve në mes të nëngrupeve për energjetikën në dialogun Prishtinë – Beograd, që pritet të mbahet më 4 mars në Prishtinë. Koordinatorja e qeverisë për grupin punues për energjetikë, Pranvera Dobruna, thotë se që në fillim të bisedimeve do të kërkohet që të njihet nga të dy anët, memorandumi për bashkëpunimin rajonal të energjetikës në Evropën Juglindore, që qe nënshkruar nga vendet e rajonit, por edhe nga UNMIK-u para disa kohësh në Athinë. Megjithatë, edhe pse përfaqësuesit kosovarë kanë përpiluar propozim agjendën për takimin e parë me përfaqësuesit nga Beogradi, agjenda përfundimtare do të caktohet pas një takimi të të gjithë anëtarëve të grupit punues për energjetikën që do të mbahet nesër.
“Pikat e rendit, që ne kemi paraparë janë shkëmbimi i energjisë elektrike me kompanitë fqinje, koordinimi i energjisë elektrike në kuadër të qendrës koordinuese të energjisë ekektrike dhe matja e rrjedhave të fuqive hyrëse dhe dalëse në sistemin e bartjes dhe distribucionit”, tha Dobruna, duke shtuar se pala kosovare do të kërkojë njohjen e marrëveshjeve teknike të nënshkruara më herët.
“Do të diskutojmë për dy marrëveshjet e përkohshme teknike që kanë të bëjnë me shkëmbimin e energjisë elektrike të nënshkruara në mes të UNMIK-ut, Departamentit të Shërbimeve Publike dhe Ministrisë së Energjisë dhe Mineraleve të Serbisë”.
Nga ana tjetër zëdhënësja e UNMIK-ut Izabela Karlovicz, ka konfirmuar se takimi i nëngrupeve punuese për energjetikën, do të mbahet të enjten, por pa dhënë detaje të tjera.
“Të gjitha detajet do të bëhen të ditura të mërkurën, tha Izabela Karlovicz.
Ndërkohë, Pranvera Dobruna thotë se për statusin e ndërmarrjes së ashtuquajtur “Elektrokosmeti” në veri të Mitrovicës dhe refuzimin e saj që t’i kompensojë KEK-ut energjinë e harxhuar, nuk do të bisedohet në takimin e parë siç qe njoftuar.
“Ne atë çështje do ta shtrojmë në kuadër të rajonalizimit të energjisë dhe në momentin kur të hapet tregu, atëherë do të jetë e mundur që të ketë furnizuesin e dytë, ose operatorin e dytë, por derisa nuk është tregu i hapur, kjo nuk do të jetë e mundur.”
Dobruna thotë se ende nuk dihet se çfarë ka në agjendë të bisedimeve grupi punues për energjetikën nga Beogradi, përveç indikacioneve, se do të kërkohet kthimi i punëtorëve serbë në Koorporatën Energjetike të Kosovës.
Takimi në mes të nëngrupeve punuese për energjetikën që do të mbahet më 4 mars shënon vazhdimin e serisë së bisedimeve për çështje teknike mes Prishtinës dhe Beogardit. Takimi tjetër i paraparë që të diskutohet çështja e të zhdukurve të luftës, është shtyrë, sepse anëtarët shqiptarë të grupit në Prishtinë, kanë dhënë dorëheqje duke u solidarizuar me thirrjet e nënave të familjarëve të pagjetur, se fati i këtyre personave nuk mund të trajtohet si një çështje teknike.
Por, zyrtartë e UNMIK-ut thonë se po bëhen përpjekje që takimi për të zhdukurit të organizohet më 9 mars në Beograd.

XS
SM
MD
LG