Ndërlidhjet

LLAMBSDORF: PRIVATIZIMI ËSHTË I NEVOJSHËM DHE DUHET TË VAZHDOJË


Bekim Bislimi, Prishtinë

Përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuar në Kosovë, Harri Holkeri ka kërkuar nga shefi i Bordit të Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit, njëkohësisht edhe shef i shtyllës së katërt të administratës ndërkombëtare, Nikollas Llambsdorf, që t’i ratifikojë dhe shesë 11 ndërmarrjet shoqërore, kontratat për të cilat tashmë janë nënshkruar, dhe për të cilat është pritur ratifikimi. Këtë e ka bërë të ditur, zoti Llamsdorf, i cili ka thënë se kjo nënkupton që këto ndërmarrje do të shiten menjëherë.
“Shitja e mënjëhershme e 11 kompanive mendoj se është gjë e mirë, sepse të gjithë pajtohemi se privatizimi është i nevojshëm dhe se ai duhet të vazhdojë dhe kjo është ajo që po e bëjmë. E njëjta vlen edhe për valën e tretë të tenderëve, nëse duam që ta shpiem përpara procesin e privatizimit," ka thënë zoti Llambsdorf.
Ai ka shtuar se Agjencionit të Mirëbesimit i është kërkuar që të shpallë raundin e tretë të tenderëve sa më shpejt që është e mundur, si dhe të paraqesë draftin e ndryshimeve të nevojshme në politikat operacionale, në bazë të rregullores së AKM-së dhe në bazë të udhëzimeve që janë marrë nga Kombet e Bashkuara.
“Sa i përket politikave operacionale është mjaft e qartë se duhet t’i përmirësojmë dhe këtë do ta bëjmë. Por para se të merret ndonjë vendim përfundimtar duhet të diskutohet me të gjithë të involvuarit, duke filluar me Qeverinë dhe me anëtarët e Bordit të AKM-së”, tha zoti Llabsdorf, duke shtuar se shpreson që bisedat e tilla do të bëhen javën e ardhshme. Ai po ashtu ka bërë të ditur se zoti Holkeri ka kërkuar që të ndërmarrë vendime urgjente, në mënyrë që të vazhdojë me krijimin e strukturave të përbashkëta të ndërmarrjeve publike me qëllim që të implementojë rezultatet e revizioneve në ndërmarrjet publike.
Zoti Llambsdorf tha se zoti Hollkeri e ka njoftuar kryeministrin e Kosovës për vendimet e tij si dhe anëtarët e Kuintit të cilët, sipas zoti Lambsdorf, i kanë dhenë përkrahje të plotë.
Kohë më parë Qeveria e Kosovës ka kërkuar që nga Bordi i Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit të shkarkohet drejtoresha e menaxhmentit, Marie Fuçi, ndërkaq lidhur me këtë zoti Llambsdorf tha:
“Nuk kemi diskutuar për çështje personale apo ndryshime të mundshme në stafin”, tha zoti Llambsdorf.
Sidoqoftë, edhe Bashkimi i Sindikatave të pavarura të Kosovës ka paralajmëruar se me datën 18 të këtij muaji, do të organizojë protesta. Në mesin e 11 kërkesave të sindikalistëve, është edhe ajo për shkarkimin e zonjës Fuçi, mirëpo zoti Llambsdorf ka thënë se, ka pasur disa takime me sindikalistët dhe se sipas tij, qëndrimi i sindikatës nuk është i ngjashëm me qëndrimin e Qeverisë dhe protestat e tyre, nuk kanë të bëjnë me kërkesat e Qeverisë.

XS
SM
MD
LG