Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

PATRICK MOORE: XHON KERI ËSHTË NJË POLITIKAN I PROFILIT SOCIALDEMOKRAT


"E di që shumë kosovarë ishin të lumtur disa muaj më parë duke shpresuar që Vesli Klark do të bëhej president. Por siç e patë, ai është vetëm një person, Holbruku dhe Keri poashtu janë persona individualë, ndërsa që të gjithë janë pjesë e një enigme politike shumë të ndërlikuar. E shohim që edhe në administratën Bush ka ndryshime në politikën e sekretarit të mbrojtjes, Ramsfeld dhe sekretarit të shtetit, Pauell. Prandaj nuk jam i sigurt se çfarë nënkuptohet me vënien e Ballkanit si një çështje prioritare" – thotë analisti Patrick Moore, duke folur për garën presidenciale amerikane dhe për një deklarim aktual të zotit Holbruk për Ballkanin.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo javë u shënua me fitoren e senatorit Xhon Keri në fushatën për nominim presidencial demokrat. Çfarë është profili i tij politik?

PATRICK MOORE
Sipas kontekstit evropian ai mund të cilësohet si një socialdemokrat. Ka 20 vjet që është anëtar i senatit amerikan, ka një eksperiencë mjaft të madhe në politikën e jashtme. Ka marrë pjesë gjithashtu 4-5 muaj në luftën e Vietnamit dhe është nderuar me disa medalje për plagosjen dhe trimërinë në këtë konflikt. Ai vjen nga i ashtuquajturi krah liberal i Partisë Demokratike dhe politikisht është i afërt me familjen Kenedi, me senatorin Ted Kenedi nga shteti Masaçusets, senator i të cilit është dhe vetë Keri. Megjithëse i përket elementit politik të socialdemokratëve, ai nuk e ka origjinën nga një klasë punëtore. Përkundrazi, mirëqënia e familjes dhe e gruas së tij, sipas të dhënave aktuale, shkojnë në qindra miliona dollarë, gjë që ishte dhe në qendër të kritikave ndaj tij në vetë Partinë Demokratike, pasi në këto zgjedhje, çështjet ekonomike dhe vuajtjet e njerëzve të varfër dhe klasës punëtore, mendohet se të jenë çështjet të rëndësishme. Do doja të thoja se gjatë tetë muajve të ardhshëm do të mësojmë më shumë rreth senatorit Keri, dhe qëndrimit të tij për të gjitha çështjet. Zgjedhjet do të mbahen pas 8 muajve dhe në politikë tetë muaj janë një periudhë e gjatë. Pra le të mos kalojmë në gjykime për askënd dhe dua të them që personalisht ende nuk kam vendosur se kujt do t'ia jap votën. Pra le të shohim çdo të ndodhë tetë muajt e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditëve ish diplomati i lartë amerikan, Riçard Holbruk në një intervistë tha se nëse zoti Keri fiton kundër presidentit Bush në zgjedhjet e nëntorit, atëherë Ballkani përsëri do të jetë prioritet për politikën e jashtme amerikane. Çka do të thotë kjo?

PATRICK MOORE
T'ju them të drejtën nuk jam i sigurt. E di që zoti Holbruk ka shpresuar të bëhet sekretar i shtetit nëse Al Gor do fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 dhe kam përshtypjen se do donte të bëhej sekretar i shtetit nën një presidencë Keri dhe mendoj që do ishte një sekretar shteti shumë i aftë. Për të mos shpresuar shumë në individë të veçantë, duhet të theksohet se procesi politik amerikan është shumë i ndërlikuar. E di që shumë kosovarë ishin shumë të lumtur disa muaj më parë duke shpresuar që Vesli Klark do të bëhej president. Por siç e patë ai është vetëm një person, Holbruku dhe Keri poashtu janë persona individualë, ndërsa që të gjithë janë pjesë e një enigme politike shumë të ndërlikuar. E shohim që edhe në administratën Bush ka ndryshime në politikën e sekretarit të mbrojtjes, Ramsfeld dhe sekretarit të shtetit, Pauell. Prandaj nuk jam i sigurt se çfarë nënkuptohet me vënien e Ballkanit si një çështje prioritare. A do të thotë kjo mbajtje të trupave ushtarake në Ballkan, shtim të numrit të tyre? Ka një kontradiktë këtu që do doja ta theksoja lidhur me një politikë të mundshme të demokratëve në Evropë, për të cilën kam menduar shumë por ende nuk e kam gjetur përgjigjen, që mund të zbulohet gjatë tetë muajve të ardhshëm. Pothuajse të gjithë kritikët demokratë të administratës Bush kanë thënë që Bushi nuk i kushtoi mjaft vëmendje Evropës dhe nuk e trajtoi atë mirë. Çfarë mund të nënkuptojë kjo në çështjen e Ballkanit? A nënkupton kjo një rritje të numrit të ushtarëve amerikanë në Ballkan, a do të nënkuptojë kjo që amerikanët janë në Ballkan për të qëndruar aty, apo përmirësim i marrëdhënieve me Evropën duke i bërë të lumtur gjermanët dhe francezët, nëse dikush mund ti bëjë të lumtur ata, pasi ajo që ata duan është rikthim i Ballkanit në duart e Bashkimit Evropian dhe tërheqje e trupave amerikane nga ky rajon. Kjo në vetëvete përmban një kontradiktë dhe nuk e di se cilën nga këto opsione e nënkupton përmirësimi i marrëdhënieve me Evropën. Le të shohim.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht presidenti Bush është në fazën e tij të parë
të fushatës për rizgjedhje. Në cilat fusha të politikës së tij ai do të fokusohet në këtë fushatë?

PATRICK MOORE
Presidenti Bush ka muaj që po përgatitet për këtë fushatë dhe ka mbledhur një fond të jashtëzakonshëm prej miliona e miliona dollarësh, të cilin do ta shfrytëzojë. Prandaj nuk duhet të habisë fakti që tash ka prodhuar 3 apo katër spote televizive nga 30 - 60 sekonda, të cilët kanë filluar të transmetohen nga stacionet televizive tetë muaj para zgjedhjeve si reklamë e paguar në shtetet kryesore, në të cilat duhet të fitoj për t'u rizgjedhur. Cilat janë gjërat që thekson në këto spote televizive? Së pari është lidershipi…pra se ai mund të udhëheqë vendin në kohë të vështira dhe në luftën kundër terrorizmit, dhe pika e dytë është që ai është personi më i mirë që mund të ndihmojë për garantimin e sigurisë kombëtare, e cila sërish lidhet ngushtë me çështjen e terrorizmit. Do të doja të theksoja që ajo që nuk është trajtuar shumë si çështje është lufta në Irak. Opinioni në vend duket se e konsideron si një veprim të mirë përmbysjen e Sadam Huseinit, megjithë problemet që janë atje tash dhe ato në të ardhmen. Është interesante se pikë e dobët e presidentit Bush është e njëjta pikë e dobët e babait të tij, i cili i humbi zgjedhjet e vitit 1992…pra kjo pikë është ekonomia.

Edhe ish presidenti Bush zhvilloi me sukses një luftë në Gjirin Persik, por ai u mund në zgjedhje sepse njerëzit e kuptuan që ekonomia nuk ishte në duar të mira, dhe i ati i presidentit aktual nuk i kuptonte problemet e njerëzve të thjeshtë. Mendoj se gjatë muajve të ardhshëm do të dëgjojmë mjaft lidhur me presidentin Bush, që vjen nga një familje e pasur dhe senatorin Keri që vjen gjithashtu nga një familje e pasur, se cili prej tyre është personi më i aftë që të hapë vende të reja pune për njerëzit e thjeshtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur disa vërejtje për spotin televiziv zgjedhor të presidentit Bush lidhur me 11 shtatorin e vitit 2001. Si e komentoni ju këtë spot televiziv?

PATRICK MOORE
Problemi qëndronte se në spotin televiziv të presidentit Bush paraqiteshin disa familje të personave që humbën jetën më 11 shtator si dhe disa zjarrfikës, të cilët ndjehen se presidenti po abuzonte me tragjedinë dhe me punën e tyre për qëllime politike. Mendoj që kanë të drejtë, por gjithashtu mendoj se edhe presidenti Bush ka të drejtë kur thotë që këto pamje të 11 shtatorit dhe mënyra se si e menaxhoi këtë ngjarje dëshmojnë aftësitë e tij udhëheqëse. Tash mund të shrohet pyetja se a mund ta tregoj dikush lidershipin e tij pa i përfshirë edhe njerëzit e tjerë. Mendoj se, në retrospektivë, mbase kjo ka mund të jetë një ide më e mirë. Por, siç qëndron puna tash, mendoj se ajo që doli nga e gjithë kjo është se kandidatët, në të ardhmen, duhet të jenë shumë të kujdesshëm lidhur me spotet që përfshijnë njerëz të tjerë, që ndoshta dëshirojnë apo nuk dëshirojnë të shihen në këto spote.
Intervistoi Fatmir Bujupi.
XS
SM
MD
LG