Ndërlidhjet

A KEMI NXJERRË MËSIME NGA AJO QË NDODHI 7 VJET MË PARË?


Lutfi Dervishi, Tiranë

Në Shqipëri ka filluar të hapet debati për ngjarjet e rënda të vitit 1997. Një kasetë amatore e transmetuar në një kanal televiziv risolli në vëmendje të shqiptarëve periudhën më të vështirë, më të dhimbshme
dhe më të turpshme të historisë së tranzicionit shqiptar. Një periudhë kaotike që i ngjan vitit të mbrapshtë 1913, ku institucionet e shtetit u shkrinë sikur të ishin ngrehina prej rëre, qindra viktima të pafajshme, një kohë ku banditët dolën heronj dhe heronjtë e vërtetë viktima, një periudhë ku u vu në pikëpyetje edhe vetë ekzistenca e shtetit shqiptar.
Shtatë vjet më pas një kasetë e transmetuar në televizion dhe dekorimi që presidenti i Republikës, i bëri dy oficerëve të shërbimit informativ kombëtar të vrarë në Vlorë nga rebelët në mars të vitit 1997, rizgjuan emocionet e fjetura dhe gërvishtën një plagë që mendohej se ishte mbyllur. Shumica e atyre që dolën si heronj dhe ngritën armët kundër institucioneve kanë përfunduar në burg, por
gjithë politikanët protagonistë dhe spektatorë të tragjedisë janë ende në krye të detyrës në të dy anët e spektrit politik. Për ngjarjet e vitit 1997 u ngrit edhe një komision hetimor parlamentar që përfundoi me dy raporte. Për ngjarjet e asaj kohe pati vetëm
përgjegjësi politike: partia qeverisëse dorëzoi pushtetin dhe presidenti i dalë nga radhët e saj dha dorëheqjen. Por për këto ngjarje nuk pati padi penale. Megjithëse kanë kaluar 7 vjet ende mungon një analizë e ftohtë e shkaqeve që çuan në rënien e shtetit dhe
thirrjen e një force ndërkombëtare ushtarake për të vendosur paqen në vend. Anarkia katër mujore filloi agoninë me zgjedhjet parlametare të 1997-tës, ku Partia Demokratike në atë kohë në pushtet nuk mundi të
kandidojë në më shumë se 30% të zonave elektorale të vendit. Shkaku i dukshëm i ngjarjeve të marsit 1997 ishte kriza e thellë financiare, pas rënies së skemave piramidale. Megjithatë është spekulluar shumë me anën financiare. U tha që shqiptarët humbën kursimet e gjithë jetës, në një kohë që pas vitit 1992, nuk mund të numëroje as me gishtat e njërës dorë shqiptarë që kishin para. Rrënjët e krizës së 97-tës ishin më tepër politike se sa ekonomike. Stabiliteti politik në vend mori një goditje të rëndë me zgjedhjet e kompromentuara të 26 majit 1996. Politikanët e opozitës së asaj kohe shfrytëzuan pakënaqësinë ekonomike të njerëzve që kishin humbur kursimet,
revoltën e piramidës së njerëzve të krimit të lidhur kryesisht me trafiqet e paligjshme në Vlorë dhe futën vendin në ciklin e dhunës politike. Një cikël që u përsërit edhe një vit më pas me ngjarjet që pasuan vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari.
Është për të ardhur keq, fakti se megjithë tragjedinë e ndodhur, politikanët në Shqipëri nuk kanë nxjerrë mësimet e duhura. Konceptimi i politikës si një betejë për jetë a vdekje, ku njëra palë fiton gjithshka dhe tjetra i humbet të gjitha, mos zhvillimi i zgjedhjeve
të lira dhe të ndershme, shfrytëzimi i emocioneve të masës për qëllime politike, personalizimi i politikës dhe polarizimi i saj, largimi gjithnjë e më tepër nga interesat e qytetarëve, mungesa e rregullave të lojës; bërja politikë sipas parimit makiavelist qëllimi
justifikon mjetin, konceptimi i demokracisë si meritë e individëve dhe jo ngritje të mekanizmave institucionalë, kanë bërë që ende në Shqipëri të mos ketë bindje për një rotacion normal të pushtetit dhe
shteti ligjor vijon të mbesë një realitet që synohet të arrihet, por që tani për tani nuk mund të preket. Ngjarjet e ditëve të fundit në këtë kontekst treguan se duke përjashtuar deri diku median, politika,
shoqëria dhe institucinet e shtetit nuk mund merren dot me analizën e asaj çfarë ndodhi në marsin e vitit 1997. Kur për një palë, një individ është hero për tjetrin bandit, kur lojtarët dhe spektatorët janë të njëjtët nuk ka një gjyqtar të paanshëm. Mbase do të duhen më shumë se 10 vjet që një brez tjetër të gjykojë me ftohtësi për tragjedinë e 1997-tës. Tani mbetet vetëm për të mos përsëritur më gabimet që na çuan në atë ngjarje.

XS
SM
MD
LG