Ndërlidhjet

GJENDJE E RËNDUAR NË QENDRËN SPITALORE NË PRISHTINË


Albana Isufi, Prishtinë

Dy shqiptarë të moshës madhore të kanë vdekur sot në Qendrën Klinike Universitare, ndërkaq që dhjetëra të tjerë janë shtrirë në këtë Klinikë si pasojë e lëndimeve me armë zjarri dhe granata dore gjatë përleshjeve të sotme në Mitrovicë, bënë të ditur zyrtarët e QKU-së.
Shefi i Shtabit Emergjent në QKU Pleurat Sejdiu, thotë se në Shtëpinë e Shëndetit në Mitrovicë kanë vdekur edhe dy persona të tjerë, duke ngritur kështu numrin e të vdekurve në 4.
“Në Qendrën Klinike Universitare deri në këtë moment kanë ardhur 15 raste, dy nga ta si pasojë e gazit lotsjellës, dy raste janë duke u operuar në sallën e operacioneve, dhe dy janë të vdekur,” tha Sejdiu.
Të plagosurit, në përleshjet e Mitrovicës, të cilët janë shtrirë në QKU thonë se ka pasur të shtëna me lloje të ndryshme armësh. Ata rrëfejnë për një numër të madh të lënduarish.
“Jam lënduar në anën e majtë, në trup dhe në këmbë jam lënduar shumë nga bombat që i kanë gjuajtur serbët”, thotë Përparim Mustafa .
“Kam qenë matanë urës duke u kthyer jam lënduar nga plumbat e kallashnikovit”, thotë Safet Mustafa. Ndërkaq Zyhdi Tupella i cili e ka të lënduar djalin thotë se ka parë tollovi në të dy anët e qytetit.
“Ka edhe të vdekur”, thotë Tupella.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë Pleurat Sejdiu thotë se nga Mitrovica vazhdojnë të vijnë raste të reja të lënduarish. Ai thotë se Shtabi Emergjent i krijuar pas gjendjes së shkaktuar në Mitrovicë, ka dërguar ekipe mjekësore në Mitrovicë, dhe në Vushtrri, ndërkaq sipas tij në Qendrën Klinike Universitare situata është nën kontroll.
“Në këtë moment i kemi 20 ekipe mjekësore me automjete në terren, në Mitrovicë dhe 3 ekipe mjekësore në Vushtrri, që rastet e lehta të punohen atje menjëherë,” tha Sejdiu.
Zyrtarët e QKU-së thanë se kanë nevojë urgjente për sasi gjaku dhe apeluan te qytetarët që të dhurojnë gjak.



XS
SM
MD
LG