Ndërlidhjet

ENDE NUK ËSHTË ADRESUAR THELBI I KONFLIKTIT


SHTYPI PËR KOSOVËN

"Kombet e Bashkuara dhe NATO-ja po dështojnë në Kosovë", titullohet shkrimi në International Herald Tribune. Autori Misha Glenny shkruan se dhuna etnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve ka shkaktuar alarm dhe ka sinjalizuar dështime serioze të politikës ndërkombëtare në Kosovë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor. Nuk ka fije dyshimi se ku qëndron përgjegjësia, thotë ai, duke shtuar se forcat ndërkombëtare deri tani shpenzuan qindra milionë dollarë, por nuk ia dolën të vendosin pajtimin efektiv të dy komuniteteve. Mbrojtja e pakicave duhet të jetë standardi kryesor para shqyrtimit të statusit final, por autori shton se nuk do të ketë stabilitet pa strategji të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik.
Në një shkrim që e boton Financial Times, Carl Bildt, ish i dërguar i Kombeve të Bashkuara për Ballkanin, shkruan se nuk është adresuar thelbi i konfliktit. Kur të ndërtohet mbi standardet e përcaktuara, vetëm atëherë mund të adresohet statusi final i Kosovës, e cila tani ka ndryshuar në mënyrë dramatike, kurse rreziku e kërcënon gjithë rajonin. Bildt më tej shkruan se Kosova duket si Palestina e Evropës, me mbi 70% të popullatës të mosjës nën 30 vjeç, me papunësi mbi 50%, ekonomi në agoni dhe emigracion të vështirësuar.
Një editorial tjetër të Financial Times shkruan se edhe Vojisllav Koshtunica mban një pjesë të fajit, sepse e ka nxitur dhunën me thirrjet për kantonizimin e Kosovës. Por Koshtunicës dhe shqiptarëve kokë-nxehtë që përpiqen të krijojnë zona pa serbë, duhet t'u rikujtohet se ndarja e Kosovës nuk është opcion.
"Serbët duhet të zgjedhin, Kosovën apo Evropën", titullohet komenti i autorit Marcus Tanner në Indipendent. Këngëtarët e turbofolkut thotë ai, ende dominojnë në radiovalët e Serbisë, kurse serbët sërish rrezikojnë të etiketohen si jostabilë dhe të frikësuar.
Kosova dhe Serbia edhe një herë sikur janë mybllur në përqafimin e tyre të përjetshëm, kurse politikanët serbë bëjnë gara se cili më tepër do t'i shkojë për shtati disponimit të masave. Serbët marshojnë në drejtim të kishave në Beograd të përcjellë me zhurmat e këmbanave dhe brohoritjet e priftërinjve, kurse komentet e mediave, me sfondin e muzikës dramatike, flasin për pogrome, vrasje masovike dhe kasaphana. Por, politikanët e Beogradit nuk e shpjegojnë mënyrën se si do të shkojnë në Kosovë, dhe si do të sigurojnë që Kosova përgjithmonë të mbetet pjesë e Serbisë. Indipendent e transmeton arkitektin e marrëveshjes së Dejtonit Richard Holbrooke, sipas të cilit Serbët duhet të zgjedhin Kosovën apo Evropën. Nëse e zgjedhin Kosovën, do t'i humbin edhe Kosovën edhe Evropën. Por, nëse e zgjedhin Evropën, i tërë Ballkani do të hyjë në Bashkimin Evropian.
Ngjarjet në Kosovë, Christian Science Monitor i krahason me zhvillimet në Irak. Atje Shtetet e Bashkuara brenda vitit përpiqen ta bartin pushtetin tek irakienët, kurse në Kosovë, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, edhe pas 5 vjetësh të luftës çlirimtare të prirë nga Shtetet e Bashkuara, ende nuk kanë vendosur se ku do të shkojë Kosova, do të pavarësohet apo të rikthehet nën Serbinë.
XS
SM
MD
LG