Ndërlidhjet

HAXHIU: GJEOSTRATEGJI E RE E ZHVILLIMEVE NË KOSOVË


Baton Haxhiu, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, ku i shihni ju shkaqet e shpërthimit të dhunës së fundit në Kosovë?

BATON HAXHIU
Mendoj se ajo që ka ndodhur në Kosovë i ka tre elemente kryesore. Inertiteti i bashkësisë ndërkombëtare për t'ju qasur problemit të Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme, qasja shumë jopërfillëse nga ana e partive politike kosovare dhe pamundësia për të ndikuar nga ana e shoqërisë civile. Mendoj që këto janë tre arsye, por mbi këto arsye, mund të themi se protestat kryesisht kanë qenë si një casus bellius, veçanërisht kështu është konsideruar rasti në Mitrovicë. Mendoj se revolta është akumuluar një kohë të gjatë. Shkaqet kanë qenë papunësia gjithnjë e më e lartë, e cila ka hapur depresion dhe humbjen e shpresave për jetë normale dhe ky akumulim e ka krijuar një atmosferë e cila ka shpërthyer. Problemi është që akumulimi i mllefit, moshapja e perspektivave shoqërore, projekte të paqarta, ndikuan që populli të dalë në rrugë për të demonstruar pakënaqësinë. Deri këtu është krejtësisht në rregull, por ajo që ka ndodhur më vonë, pra kur nga shkaqet e arsyeshme janë krijuar pasojat të cilat mund të jenë shumë të rënda ose mund të jenë pasoja, të cilat do të ndikojnë shumë keq në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Kjo e krijon një perspektivë të zymtë politike, por mund të shpejtojë dhe procesin politik në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu si mendoni se do të ndikojnë zhvillimet e fundit në proceset e ardhshme politike në Kosovë?

BATON HAXHIU
Mund të them se ajo që ka ndodhur në Kosovë mund të thuhet me një fjali: kallja apo ndezja e multietnicitetit në Kosovë. Më nuk ka shpresë, ose shpresa është shumë e vogël për një Kosovë multietnike. De facto Kosova ka hyrë në një proces politik, i cili krijon një gjeostrategji të re e cila ka qenë e shkruar që më herët e ajo e ka emrin ndarja e Kosovës. Por problemi është që ndarja e Kosovës nis me simbolikën e mbytjes së tre fëmijëve në lumin Ibër dhe lumi Ibër ndoshta mund të jetë dhe ajo vija ku mund të ndahet Kosova, ai 14 % ku kryesisht janë përqëndruar serbët. Për shumë arsye kjo pjesa qëndrore e Kosovës më thuajse është e paqëndrueshme për serbët, dhe djegiet e kishave, pa marrë parasysh ndjenjën tonë të themi kështu morale, djegiet kanë patur simbolikën politike dhe nuk kanë patur simbolikën etnike. Dhe natyrisht kjo simbolikë politike e shndërruar në vandalizëm, e ka bërë ndarjen definitive në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Por tani problemi është se si do ta konceptojnë këtë ndarje ndërkombëtarët, nëse atë pjesën e veriut të Kosovës do ta shndërrojnë në diçka që quhet kanton, apo autonomi brenda Kosovës apo do ta dërgojnë nga Serbia. Mendoj që kjo e dyta është pamundur për shkak të efektit domino, sepse kjo reflekton situatën në tërë rajonin. Prandaj ky shpejtim i procesit politik do të jetë i tillë që statusi i Kosovës do të rregullohet apo do të jetë në rend dite më shpejt tek bashkësia ndërkombëtare, kurse çështja e veriut të Kosovës besoj është çështje e harxhuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, si e shihni ju pozicionimin e drejtuesve kosovarë gjatë zhvillimeve të fundit?

BATON HAXHIU
Konsideroj që kosovarët nuk kanë ditur të manaxhojnë tërë këtë proces politik dhe kemi parë se çështja e lojalitetit ndaj UNMIK-ut dhe e lojalitetit e gjithë asaj që ka ndodhur gjatë pesë viteve dhe mosargumentimi i fakteve në një mënyrë ose një tjetër, që ne po hyjmë në një krizë, e ka gjetur faktorin kosovar të papërgatitur dhe mua nuk më befason UNMIK-u për arsye se ata nuk e dinë si reagojnë kosovarët në rrethana të tilla, dhe nuk ke nevojë të organizosh diçka për arsye se këtu janë punët megjithatë ose revolta të cilat vijnë nga gjithë ato që i përmenda më lart, por e ka gjetur klasën politike absolutisht të papregatitur, absolutisht të papërqëndruar dhe të paaftë që të kanalizojë problemet e tilla. Ajo që unë dua të them tash është se nuk guxojmë që kjo situatë të shfrytëzohet për përkëqesim të imazhit të shqiptarëve dhe për margjinalizim të sërishëm të kërkesave të arsyeshme të shqiptarëve që është pavarësia dhe kam bindjen se çështja e Kosovës është në prag të zgjidhjes më përpara sesa e kemi menduar ne.

Intervistoi Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG