Ndërlidhjet

ALLEN KASSOF: NGAJRJET E FUNDIT NË KOSOVË – KTHIM I RËNDË PRAPA


"Nuk duhet thënë që pavarësia do ta zgjidhë problemin sepse kjo nuk është e qartë. Pra, kjo është përgjegjësi e palës shqiptare. Nga ana e serbëve, atyre u duhet të pranojnë faktin se diçka ndodhi në vitin 1999, të cilën gjë ata ende nuk e kanë pranuar" - thotë, pos tjerash, Allen Kassof, udhëheqës i Projektit për marrëdhënie etnike me seli në Princeton (SHBA), duke folur për zhvillimet e fundit në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nënsekretari amerikan i shtetit, Marc Grossman tha në Prishtinë, se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Kosovën për ta tejkaluar situatën pas dhunës, që ai e përshkruajti si të papranueshme. Sipas jush çka do të thotë kjo?

ALLEN KASSOF
Nuk kam folur me zotin Grossman kohët e fundit por besoj se kishte ndërmend të thoshte se Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të jenë një prani e dobishme në Kosovë, si një arbiter ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilin drejtim do të mund të angazhoheshin mëtutje Shtetet e Bashkuara në Kosovë, sipas jush?

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoj se së pari duhet të kthehemi në të kaluarën dhe të vlerësojmë se çfarë ndodhi javët e fundit. Ishte një kthim i rëndë mbrapa për të gjithë të përfshirët, për serbët, për shqiptarët dhe për komunitetin ndërkombëtar. Problemi është, mendoj, se çdo palë ka ca dështime dhe pika të errëta dhe më lejoni të them diçka më shumë rreth kësaj. Sa u përket veçanërisht serbëve, në Beograd, ata po sillen sikur asgjë nuk u ndodhi shqiptarëve në vitin 1999 dhe po shpresojnë për një kthim në një situatë e cila do të ishte shumë e vështirë për t'u rregulluar. Ata kurrë nuk e kanë pranuar që ka pasur ngjarje të tmerrshme në vitin 1999. Ndërsa, sa u përket shqiptarëve, edhe pse ata vetë ishin viktimat e pastrimit etnik, apo të përpjekjeve për pastrim etnik më 1999, nuk i aplikuan ato mësime në sjelljen e tyre ndaj serbëve të cilët mbetën në Kosovë, por u tërhoqën duke trajtuar çështjen e pavarësisë si diçka që do t'i zgjidhte problemet vetvetiu. Kështu sfida e vështirë për çdo palë është që ata vërtet duhet të përballen me këto çështje, përndryshe do vazhdojnë të jenë pre e lehtë e nacionalistëve nga të dy anët.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni qenë shumë i angazhuar në marrëdhëniet etnike në Kosovë dhe në Ballkan. Si e vlerësoni situatën tash, pas dhunës së fundit?

ALLEN KASSOF
Siç e thashë mësipër, është një kthim i rëndë mbrapa. Dhe secila nga palët duhet të përpiqet tash të ecë përpara drejt një dialogu, të cilin ende nuk e kanë pasur. Si të thuash, jo vetëm për energjinë elektrike, por secila palë duhet të gjejë një mënyrë të ulet dhe t'i afrohet këtij dialogu. Asnjëherë nuk kanë mundur të dalin me zgjidhjet e tyre me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar në vend që të presin nga komuniteti ndërkombëtar të imponojë zgjidhjet. Sigurisht që nuk mund ta arrijnë këtë gjë vetëm. Por duhet të gjejnë një farë mënyrë që të ulen me njëri tjetrin në nivelet më të larta dhe të lënë mënjanë paragjykimet që kanë për njëritjetrin. Pyetja e tyre duhet të jetë se si mund të krijojnë situatën më të mirë për njerëzit në terren, për shqiptarët dhe serbët dhe për të tjerët. Mendoj se duhet të fillojnë me këtë dhe pastaj do t'u duhet të gjejnë një zgjidhje kreative që u përshtatet të dy palëve. Është shumë e vështirë…ka rreziqe të jashtëzakonshme nga të dyja palët për të nxitur përgjigjet nacionaliste, por mendoj se duhet të bëjnë një fillim të ri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në komentin e tij në "Institutin për raportime nga lufta dhe paqja" shkruajti se "pothuasje të gjitha kërkesat nga kosovarët për më tepër përgjegjësi ishin bllokuar nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë". Si i përshkruani ju raportet ndërmjet Unmikut dhe institucioneve të Kosovës?

ALLEN KASSOF
Sigurisht se është një marrëdhënie problematike dhe nuk është e kënaqshme për asnjërën nga palët. Por mendoj se duhet të shpreh pak skepticizëm për nocionin që pavarësia apo më shumë pavarësi, më shumë autonomi, do të sillte një zgjidhje për problemet e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve. Disa shqiptarë po përpiqen shumë dhe me seriozitet. Nga ana tjetër lidershipi ka pasur mundësi që të përpiqej të siguronte sigurinë e serbëve dhe pakicave të tjera, ka mundësi që nuk janë shfrytëzuar plotësisht, as në kushtet e tashme. Prandaj mendoj se është e vertetë që shqiptarëve do t'u duhet të bëjnë përpjekje shumë më serioze në këtë drejtim. Nuk duhet thënë që pavarësia do ta zgjidhë problemin sepse kjo nuk është e qartë. Pra, kjo është përgjegjësi e palës shqiptare. Nga ana e serbëve, atyre u duhet të pranojnë faktin se diçka ndodhi në vitin 1999, të cilën gjë ata ende nuk e kanë pranuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, zoti Holbruk dhe shumë analistë në të dy anët e Atlantikut, janë shprehur se dhuna e fundit ishte, ndër shkaqet e tjera, edhe pasojë e dështimit të Bashkësisë ndërkombëtare që të diskutoj çështjen e statusit të Kosovës. Cili është komenti juaj lidhur me këtë çështje?

ALLEN KASSOF
Mendoj që është shumë e thjeshtë. Së pari komuniteti ndërkombëtar e ka diskutuar në një farë mënyre apo ka thënë që është i përgatitur të diskutoj të ardhmen e Kosovës dhe të statusit të saj dhe kanë thënë gjithashtu që do ta realizonin këtë kur të ishin kushtet e duhura. Nuk shoh se si një deklaratë e thjeshtë e pavarësisë do të zgjidhte natyrën e problemeve që pamë javët e kaluara. Është e vërtetë që komuniteti ndërkombëtar duhet të ecë përpara me detyrat e veta, por nuk është komuniteti ndërkombëtar ai që krijoi ato probleme në terren. Ato probleme u krijuan nga serbët dhe nga shqiptarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet e Kosovës po kërkojnë më tepër përgjegjësi për tu ballafaquar me çështjet aktuale?

ALLEN KASSOF
Është fakt se institucionet ashtu si ekzistojnë tash nuk kanë shfrytëzuar të gjithë potencialin e tyre. Udhëheqja kosovare ka mundur dhe duhej të kishte marrë një rol shumë më aktiv në bindjen e popullatës shqiptare për nevojën e tolerancës ndaj pakicave në Kosovë. Një nga arsyet pse nuk kanë vepruar kështu, është sepse kjo nuk është çështje e popullarizuar. Por liderët disa herë duhet të bëjnë gjëra që nuk janë të popullarizuara. E njëjta gjë ndodhë me serbët. Serbët kanë frikë nga nacionalistët e tyre që do të refuzonin çdo lloj pozicioni të moderuar apo kompromisi lidhur me Kosovën, në të njëjtën mënyrë që udhëheqja shqiptare e konsideron shumë jopopullore faktin që të përpiqet të bëjë diçka të moderuar. Pra përgjegjësia qëndron nga të dy anët dhe nuk është realizuar. Dhe ky nuk është faji i komunitetit ndërkombëtar, është faji i liderëve lokalë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertët thonë se, ndër shkaqet e mundshme të kësaj dhune, është poashtu edhe situata shumë e keqe ekonomike në Kosovë, me popullatë të re dhe me papunësi të lartë. A pajtoheni me konkludime të këtilla?

ALLEN KASSOF
Kjo as që mund të vihet në pikëpyetje…dhe as fakti që ka nevojë për përmirësim të gjendjes ekonomike. Por kjo më sjell tek argumenti im kryesor. Herët apo vonë, nëse do ketë një zgjidhje efektive që do të ishte në të mirë të të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë dhe Serbi, duhet të ketë një vlerësim nga të dy palët të historisë së fundit, duhet të ketë bisedime direkte në një nivel shumë serioz politik mes liderëve në Prishtinë dhe Beograd, përfshirë lidershipin e serbëve lokalë. Nuk ka zëvendësim për këtë. Se a janë palët të gatshme për këtë hap mbetet për t'u parë. Por secila prej tyre koncepton sikur pala tjetër nuk ekziston. Por vërtet do t'u duhet të ulen së bashku dhe të vënë mënjanë paragjykimet dhe të përpiqen të shohin nëse mund të gjejnë një zgjidhje të pranueshme nga të dy anët. Duhet të kërkojnë për këtë pjesë të vogël të përbashkët…gjë që ende nuk e kanë bërë. Kjo nuk po ndodh nën mbikqyrjen e OKB-së dhe BE-së, sepse njëra palë i shehë si të domosdoshme bisedimet për energjetikën, ndërsa pjesa tjetër për çështjet urgjente. Por, do vijë koha kur do të duhet të trajtohen çështjet politike dhe të shihet nëse mund të gjendet një zgjidhje.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG