Ndërlidhjet

H. DALE:"SERBËVE GARANCA SIGURIE, SHQIPTARËVE MË SHUMË PUSHTET"


Helle DALE, analiste në Fondacionin Heritage


RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht administrata ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës thonë se po bëjnë përpjekje për ta stabilizuar gjendjen pas dhunës së muajit të fundit. Si e shpjegoni ju këtë dhunë?

HELLE DALE
U duk faktikisht gati si një akt pastrimi etnik nga ana e komunitetit shqiptar, ku serbët, unë besoj do të fajësohen për vdekjen e fëmijëve shqiptarë dhe shqiptarët duket se u acaruan nga kjo dhe shfrytëzuan rastin për të përzënë shumë familje serbe. Ishte një ngjarje mjaft e ndyrë dhe mendoj se ka qenë një kthim i madh mbrapa për çështjen e shqiptarëve të Kosovës. E di që serbët, qartazi, nuk janë mjaft të popullarizuar, por ideja që ata mund të pastrohen tërësisht nga Kosova vetëm e ushqen një stereotip që ne të gjithë e kemi për rajonin e Ballkanit, për fat të keq.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë nga të dy anët e Atlantikut thonë se administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë për pesë vitet e fundit nuk ishte efikase aq sa pritej. Çka mendoni lidhur me këtë çështje?

HELLE DALE
Jam absolutisht dakort me këtë vlerësim. Nuk mendoj se mandati i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka qenë një sukses. Ajo që ka bërë ka qenë ngrirja në një vend i një situate të paqartë, në të cilën statusi i Kosovës mbetet i pazgjidhur dhe në këtë gjendje askush realisht nuk ka kontroll. Prandaj secili nga grupet do të kërkoj të konsolidojë influencën dhe pushtetin dhe në këtë rast disa nga kriminelët shqiptarë, që i kryen ato akte, synonin që të konsolidonin dominimin shqiptar në Kosovë. Për këtë nuk mundet të fajësohet tërësisht UNMIK-u pasi njerëzit që bënë këto vrasje dhe ushtruan dhunën janë përgjegjës. Por, Kombet e Bashkuara nuk kanë qenë një organizatë e mirë për qeverisjen e Kosovës. Duhet që të jetë e aftë që t'u japë njerëzve një ide se cila do të jetë e ardhmja, por nuk është as afër kësaj pike.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë pikë dëshiroj të them se para disa ditësh, zoti Richard Sklar, ndihmës i ish presidentit Clinton për marrëveshjen e Dejtonit, shkruajti në "Nju Jork Tajms" se "Perëndimi duhet të kërkoj një plan për ndërtimin e demokracisë dhe të mbrojtjes së minoriteteve" që, sipas zoti Sklar, do të ishte një "plan për një pavarësi të përgjegjëshme". Çka mendoni lidhur me një plan të tillë?

HELLE DALE
Mendoj se, me gjasë, është një gjë e mirë për ta parë atë në këtë kohë. Është i nevojshëm një plan për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale. Me siguri që nëse kosovarët do të lejoheshin të votonin sot, apo pranverën e ardhshme, besoj se do të votonin për pavarësi. Dhe kjo nevojitet të diskutohet me Serbinë në mënyrë që të mos plasë sërisht konflikti. Por mendoj se një plan i qartë që shpjegon hapat që duhen ndërmarrë në të ardhmen, është ajo që nevojitet në këtë kohë. Por sërish, ashtu si në Lindjen e Mesme, nuk është e lehtë që të përcaktohet nëse ky plan do të funksionoj.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Del, ditëve të fundit dhe më pare, ka pasur shumë diskutime lidhur me marrëdhëniet ndërmjet administratës së Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të Kosovës. Liderët kosovarë po kërkojnë më tepër autoritet që të jenë në gjendje të marrin më tepër përgjegjësi për Kosovën. Por, tash për tash, duket sikur UNMIK-u nuk ka gatishmëri për ta bërë këtë. Nga pikëvështrimi juaj, a ndikon kjo garë në procesin e tërësishmëm politik në Kosovë?

HELLE DALE
Po sigurisht që e influencon. Dhe mendoj se është koha të shtrohet si një çështje e ngutshme dhënia e kompetencave më të madha për liderët shqiptarë. Por problemi qëndron se kur ndodhin incidente si ato të Marsit, në një vend ku serbët vranë shumë njerëz dhe ku ka pasur shumë tragjedi, atëherë nuk mund të jeni të sigurtë se këto gjëra nuk mund të ndodhin sërish. Liderët shqiptarë në rradhë të parë duhet të tregojnë që kanë pushtet mbi komunitetin shqiptar. Njerëzit që ushtruan dhunën janë vërtet shkatërrues sa i përket çështjes së tyre. Komuniteti ndërkombëtar nuk do të ndjehet i qetë që t'u japë më shumë pushtet autoriteteve shqiptare nëse nuk ka garanci se serbët do të jenë të mbrojtur.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë amerikanë thonë se Shtetet e Bashkuara do të duhej të luanin rol udhëheqës, natyrisht me Bashkimin Evropian dhe me të tjerët, në procesin drej statusit final të Kosovës. A është kjo gjë e mundshme në këtë moment, për shkak të angazhimeve amerikane në Irak dhe në rajonet e tjera?

HELLE DALE
Sinqerisht nuk mendoj se është diçka realiste në këto momente. Shtetet e Bashkuara janë shumë të preokupuara me luftën në Irak dhe unë pres që kjo të zgjatë një kohë të gjatë. Sigurisht trupat amerikane do të jenë në Irak për disa vite me rradhë dhe gjithashtu jemi të preokupuar me Afganistanin dhe pjesë të tjera të botës ku terrorizmi ka qenë një problem shumë i madh. Sigurisht që Kosova nuk futet në këtë lloj çështjeje dhe nuk pres që Shtetet e Bashkuara të marrin një rol të fortë udhëheqës në Ballkan. Për fat të keq kjo çështje ndoshta do t'u lihet në dorë evropianëve. E di që ata nuk gëzojnë një besim dhe ndoshta nuk do jenë më të mirë se të tjerët, por Shtetet e Bashkuara kanë shumë gjëra të tjera për momentin dhe janë shumë të preokupuara me Irakun.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG