Ndërlidhjet

DËMET NGA TRAZIRAT E MARSIT U VLERËSUAN NË 11 913 000 EURO


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në një raport paraprak të prezantuar sot nga qeveria e Kosovës, thuhet se dëmet e shkaktuara gjatë trazirave të 17 dhe 18 marsit, duke llogaritur këtu vetëm dëmet e shkaktuara në objektet e banimit, shkolla dhe objekte shëndetësore, mbërrijnë vlerën prej 11.913.000 euro. Këto llogaritje i ka prezantuar ministri për Kulturë, Sport dhe Çështje Jorezidente, njëherësh kryetar i Komisionit ndërministror për vlerësimin e dëmeve, Behxhet Brajshori. Ai tha se llogaritjet e dëmeve të paraqitura, janë bazuar në të dhënat e mbledhura nëpër 17 komuna të Kosovës të përfshira në trazirat e marsit. Objektet e dëmtuara janë kategorizuar dhe sipas shkallës së dëmtimeve në pesë kategori:
“Kemi patur të dëmtuara 54 shtëpi të kategorisë së parë, 93 shtëpi të kategorisë së dytë, 39 të kategorisë së tretë, 192 të kategorisë së katërt dhe 125 të kategorisë së pestë. Sipas kësaj evidence kemi 3 objekte shkollore të dëmtuara, kemi 2 objekte shëndetësore dhe 4 objekte publike të dëmtuara. Dhe se shuma e tërësishme sipas këtyre të dhënave, pas përpunimit është 11.913.000 euro”, tha Brajshori.
Ministri Brajshori, tha se këto janë vetëm të dhëna paraprake, ndërsa ato përfundimtare, sipas tij mund të dihen në fazat e mëvonshme. Lidhur me shkallën e dëmeve nëpër komuna, Brajshori tha se Mitrovica prin për nga shkalla e dëmtimeve, kurse pasojnë Fushë Kosova, Prizreni, Obiliqi e kështu me radhë.
Ndërsa sa u përket dëmeve të shkaktuara në objektet fetare, të kultit e të tjera, ministri Brajshori tha se për atë kategori objektesh do të formohet një komision i veçantë, pasi më datën 26 dhe 27 prill në Kosovë të vijë dhe një grup ekspertësh nga UNESCO që do të ndihmojë në përcaktimin e shkallës së dëmtimeve.
Për momentin, tha Brajshori, qeveria është e përkushtuar që pas përcaktimit të dëmeve të fillojë fazën e riparimeve urgjente, duke filluar nga data 10 maj. Për këtë qëllim qeveria ka ndarë 5 milion euro, çka sot u pa se janë të pamjaftueshme. Brajshori si kryetar i komisiont, tha se zgjidhja mund të gjendet në ndarjen e mjeteve shtesë nga buxheti i Kosovës, me ndonjë vendim tjetër të qeverisë apo që autoritetet ndërkombëtare të marrin pjesë gjithashtu, edhe pse deri më tani tha ai, askush nga komuniteti ndërkombëtar nuk ka ndarë mjete për sanimin e dëmeve nga trazirat e marsit. Brajshori tha se kjo fazë paraqet vetëm riparimin e objekteve për t’i bërë ato të gatshme për shfrytëzim, kurse në fazat tjera, shtoi ai, do të bëhen vlerësimet e inventarit të brendshëm dhe objekteve të tjera përcjellëse:
“Vlerësimet janë bërë si të tëra. Mirëpo ajo fazë do të shkojë për krijimin e kushteve, faza implementuese për krijimin e kushteve për t’u kthyer qytetarët. Kjo nuk nënkupton do të thotë edhe inventarin e lëvizshëm dhe gjërat e lëvizshme, sepse megjithatë ato mund të jenë të vlerësuara herë më shumë e herë më pak, varësisht qasjes si i qaset qoftë pronari qoftë ai që e bën evidentimin. Ajo mbetet për një fazë tjetër, që qoftë qeveria, qoftë dikush tjetër, të vendosë për të krijuar kushte më të mira”, pohoi Brajshori.
Përndryshe, përveç dëmeve materiale, nga trazirat e marsit, sipas shënimeve të administratës së Kombeve të Bashkuara kanë humbur jetën 19 veta, qindra të tjerë janë lënduar, kurse nga shtëpitë e tyre janë zhvendosur mbi 4 mijë persona.

XS
SM
MD
LG