Ndërlidhjet

BRITANIA E RISHIKON MULTIKULTURALIZMIN


Jan Jun

Në Britani vazhdon debati nëse duhet të mbetet, të ndryshohet apo të hiqet politika e multikulturalizmit.
Në 4 dekadat e shkuara, kjo politikë ka qenë standard i qeverisë. Por disa njerëz, të shqetësuar nga emigracioni, getot etnike dhe ekstremizmi i brendshëm, tani bëjnë thirrje që multikulturalizmi të hiqet.
A duhet pra multikulturalizmi të fajësohet për shumë sëmundje sociale që e kanë pllakosur Britaninë?
Kjo pyetje është në zemër të debatit te gjerë në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjithshka filloi me komentin e kryesuesit të Komisionit për Barazinë Racore. Zyrtari, Trevor Phillips, me origjinë nga Karaibet, i tha gazetës 'The Times' se multikulturalizmi "më nuk është i dobishëm" sepse "ka nënkuptuar gjëra të gabuara" dhe "sugjeroi ndarje".
Phillips tha më tej se Britania e integruar, do të ishte ajo me vlera të përbashkëta: demokracinë, sundimin e ligjit dhe gjuhën angleze. Sipas tij, kjo do të nënkuptonte që banorëve myslimanë "vazhdimisht t'u thuhej se janë britanikë, derisa këtë ta pranojnë", me qëllim që të luftohen pohimet e ekstremistëve.
Komentet e Philips-it i hodhën vaj zjarrit të ndezur nga debati i gjallë. Charles Jenkins, nga Njësiti i Inteligjencës për Ekonominë në Londër, nuk do të besojë se Phillips ka menduar ta kthejë përmbys tërë multikulturalizmin e gjatë të Britanisë.
"Nuk mendoj se ai vërtet e ka menduar atë që e tha, të paktën nga ajo që kuptova. Mendoj që ai përpiqej t'i thotë 'po' multikulturalizmit, si diçka që i mban të bashkuar qytetarët e Britanisë. Dhe kjo duhet të diskutohet, çfarë është ajo që i mban së bashku qytetarët britanikë", thotë Jenkins.
Për disa vëzhgues, çështja nëse Mbretëria e Bashkuar duhet të jetë multikulturore dhe britanike, është çështje e inkurajimit të qytetarëve për ta përkrahur atë që është më e mira në traditën.
Tony Thorne, ligjërues i studimeve ndër-kulturore në Kolegjin Mbretëror të Londës, thotë se gjatë viteve të kaluara, emigrantëve shumë pak u janë mësuar vlerat britanike.
"Ajo që ndërthuret me multikulturalizmin dhe qytetarinë, është nocioni i të qënit britanik dhe anglez, të cilën e ka theksuar edhe Trevor Phillips. Nuk është diçka që mund ta përhapni me inxhinjeringun shoqëror. Është një lloj vetë-njohje kulturore, apo perceptim i vetes dhe i rrethit", thotë Thorne.
Ai thotë se përpiqet t'i mësojë studentët ta shohin jetën e njerëzve në vendet tjera, dhe si ta shprehin ndjenjën e identitetit të tyre kombëtar. Ai thotë se mësime të ngjashme mund të nxjerren duke i vështruar komunitetet në vetë Britaninë, të cilave zakonisht u referohemi si 'geto', ku shumica e emigrantëve, lidhjet më të forta i kanë me kulturën e tyre se sa me atë britanike.
Charles Jenkins thotë se multikulturalizmi ende është forcë e madhe pozitive në Britani. Ai thotë se Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të rrëmbehet për ta pranuar politikën e asimilimit, përkundër vështirësive të fundit me emigracionin dhe sigurinë.
"Mendoj që multikulturalizmi aktualisht ka qenë politikë e suksesshme. Ndoshta pak duhet të përshtaten elementet e lojalitetit", thotë Jenkins.
Daniele Joly, ligjëruese në Universitetin Warwick, e specializuar në çështjet e emigracionit, refugjatëve dhe azil-kërkuesve, thotë se nevoitet një qasje tjetër.
"Nuk mendoj se multikulturalizmi është diçka e keqe, nëse e shihni si përzierje e kulturave të ndryshme në një vend të veçantë. Ajo që po ndodh në Britani ka të bëjë me mënyrën e zbatimit. Në Francë, ku ka politikë asimiluese, rezultatet janë edhe më katastrofike. Prandaj duhet gjetur rrugën që mundëson njohjen e kulturave të ndryshme, dhe njëkohësisht ofron mundësi të barabarta", thotë Joly.



XS
SM
MD
LG