Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

DIALOGU NUK KA ALTERNATIVË


Albana Isufi, Prishtinë

Dialogu nuk ka alternativë. Dialogu civil mund të ndihmojë edhe dialogun formal mes Beogradit dhe Prishtinës pas dështimit të takimit të Vjenës. Kështu është thënë në tryezën për dialogun civil të organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në bashkëpunim me përfaqësuesit e shoqërisë civile të Kosovës dhe Serbisë.
Ngjarjet e 17 dhe 18 marsit kanë qenë një hap mbrapa edhe për dialogun civil, por rifillimi i tij dhe ndërtimi i tolerancës nuk kanë alternativë, tha ambasadori i OSBE-së Pasquale Fieschi, duke thënë se Këshilli për Dialogun Civil, që përbëhet nga organizata joqeveritare të Kosovës dhe Serbisë është bërë një motor i domosdoshëm që po shtyn përpara dialogun.
“Nëse dialogu duhet të jetë i suksesshëm, duhet të ketë një efekt shumë më të madh sesa në të kaluarën. Për të bërë këtë duhet të zgjerojmë dialogun. Duhet të krijojmë tek njerëzit një përkushtim për të jetuar së bashku në paqe," tha Fieschi.
Bashkëudhëheqësi i Projektit Dialogu Civil, Zhivorad Kovaçeviç, ish-ambasador jugosllav në SHBA, thotë se pavarësisht ngjarjeve të marsit, që kanë shkaktuar frustrime edhe në mesin e organizatave joqeveritare serbe dhe shqiptare, dialogu është i nevojshëm dhe duhet të ndodhë. Kovaçeviç thotë se nuk ka iluzione se shoqëria civile mund ta ndryshojë botën, por të paktën ndihmon komunikimin mes njerëzve në të dyja anët, hap ky që sipas tij do të duhet të ndiqet edhe nga politikanët.
“ Liderët politikë duhet të fillojnë të mendojnë se a është e mundur që të gjendet zgjidhja pa diskutuar problemet me anën tjetër, a është e mundur, që të mbahet vetëm një pozicion, pa asnjë mundësi për kompromis dhe a është e mundur që të neglizhohen gjërat e përditshmërisë. Ata duhet të ndjekin shembullin e organizatave joqeveritare dhe të flasin për problemet e përditshme, sepse është parë se dialogu i Vjenës nuk ishte dialog, ishte dialog i të shurdhërve, ishin dy monologe që ishin të orientuara te publiku vendës dhe ky lloj dialogu nuk është aspak i nevojshëm," tha Zhivorad Kovaçeviç, ish kryetar i komunës së Beogradit.
Bashkëudhëheqësi tjetër i Dialogut Civil, Dom Lush Gjergji thotë se është koha që të dilet prej bisedimeve nëpër forume të ngushta dhe duhet që shoqëria civile dhe udhëheqësit e vendit të jenë pjesëmarrës edhe në jetën e popullit.
Dom Lush Gjergji thotë se në Kosovë ka vend për të gjitha komunitetet.
“Të thyhen paragjykimet dhe të mos vijmë deri të kategorizimi që të themi se me serbët apo me të tjerët nuk është e mundur, domethënë ta kthejmë besimin në vetvete se me njerëz të cilët janë njerëz pa dallime fetare e kombëtare mund të jetohet, mund të bisedohet dhe mund të dialogohet," tha Dom Lush Gjergji.
Bazuar në përvojën e tij në Bosnje dhe Hercegovinë, përfaqësuesi i shoqërisë civile në Tuzëll, Vehid Shehiç, thotë se për të pasur sukses dialogu, palët duhet të jenë shumë të sinqerta.
“Kushtet që dialogu të ketë sukses, është që të jemi të sinqertë njëri ndaj tjetrit dhe të ndërtojmë besimin e ndërsjellë, sepse nëse e nisim dialogun me dëshirën që dikënd ta mashtrojmë, atëherë futemi në diskutimet e përditshme politike të cilat kanë të bëjnë me përpjekjet për të mashtruar palën tjetër," thotë Shehiç duke shtuar se kurrë nuk duhet harruar se nëse dje një popull ka qenë në rrezik sot mund të jetë populli tjetër.
Këshilli i Dialogut Civil përbëhet nga përfaqësues të Organizatave Joqeveritare nga Kosova dhe nga Unioni Serbi -Mal i Zi dhe ka për qëllim që të shtyjë përpara komunikimin mes komunitetit shqiptar dhe serb. Në rekomandimet e këtij këshilli thuhet se dialogu nuk duhet të përqendrohet vetëm në organizatat joqeveritare, por ai duhet të zhvillohet në të gjitha shtresat e shoqërisë si dhe të vetë institucioneve.




XS
SM
MD
LG