Ndërlidhjet

MOISIU: TË PËRSHPEJTOHET ZGJIDHJA E STATUSIT TË KOSOVËS


Zijadin Gashi

Shqipëria i ofron mbështetje të plotë Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, por njëkohësisht vlerëson se UNMIK-u duhet të bartë më shumë përgjegjësi tek institucionet e Kosovës, në mënyrë që ato të dëshmohen dhe t'i kryejnë punët e veta më mirë, ka thënë sot në Prishtinë presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu.
Këto komente Moisiu i ka bërë pas takimit me shefin e UNMIK-ut Harri Holkeri, gjatë vizitës së parë zyrtare që një president shqiptar po i bën Kosovës.
Duke përkrahur politikën standardet bashkë me statusin, dhe duke kundërshtuar aktet e dhunës, presidenti Moisiu tha se ai vlerëson se UNMIK-u dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të shpejtohen me zgjidhjen e statusit të Kosovës, duke shtuar se aktet e dhunës gjatë marsit, kanë vërtetuar se shtyrja e statusit mund të jetë hapësirë për veprime të ndryshme të grupeve ekstremiste.
"Sa më shumë të zgjatet problemi i statusit të Kosovës aq më shumë fushë do t'i lihet veprimit të ekstremistëve të gjithë krahëve. Këtë e kam deklaruar dhe në bisedat me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe sot bashkë në takimin që patëm në Tiranë. Dhe unë mendoj se Kosova ka një të ardhme të shkëlqyer", tha Moisiu.
Në anën tjetër shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri, tha se e çmonte lart rolin konstruktiv të Tiranës zyrtare në çështjen e Kosovës, për të shtuar se ngjarjet e marsit kanë bërë që të kuptohet se implementimi i standardeve duhet të dinamizohet në mënyrë që statusi i Kosovës, ashtu siç tha dhe presidenti shqiptar, të zgjidhet sa më shpejt.
"Ajo për çfarë ne po punojmë tani është përkushtimi ynë që të ecim përpara duke u bazuar në planin për zbatimin e standardeve për Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe ashtu siç tha dhe presidenti, ne duhet të zgjidhim statusin e Kosovës sa më parë, ka thënë Harri Holkeri.
Ndërkohë pas një takimi ndërmjet dy presidentëve atij të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, presidenti Ibrahim Rugova tha se Shqipëria dhe Kosova duhet ta thellojnë bashkëpunimin e ndërsjellë. Rugova tha se Kosova duhet të vazhdojë përpara drejt integrimit të saj në strukturat evropiane, kurse përgjegjësit për aktet e dhunës gjatë marsit, tha ai, duhet të dalin para drejtësisë. Rugova u angazhua edhe për realizimin e shumë projekteve të përbashkëta, siç është dhe rruga Prishtinë- Durrës, të cilat sipas tij do të shpejtonin integrimet ndërshqiptare dhe ndërrajonale drejt integrimeve evropiane.
"Do të kemi bashkëpunim shumë më intensiv në të gjitha fushat e jetës dhe aspirata e dy vendeve tona është që të integrohemi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe të jemi në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njohja formale e pavarësisë së Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt sepse do ta qetësojë këtë pjesë të Evropës dhe botës dhe do t'i shpejtonte proceset e brendshme demokratike," tha presidenti Rugova, kurse presidenti Moisiu u përqëndrua në fuqizimin e institucioneve të Kosovës me sa më shumë kompetenca që ato të mund të funksionojnë më mirë, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe në uljen e shkallës së lartë të papunësisë.
"Sigurisht është e nevojshme që qeveria e Kosovës të ketë më shumë të drejta, më shumë kompetenca, dhe unë shpresoj dhe besoj që në kuadrin e këtyre ngjarjeve, të përshpejtohet zgjidhja e këtyre problemeve. Sigurisht që është papunësia, kemi biseduar me presidentin Rugova, por unë mendoj që duhet këto toka të bukura, këto arat e bukura të mos i lemë pa punuar.
Në ditën e parë të vizitës së tij në Kosovë presidenti Moisiu ka takuar dhe kryesinë e Kuvendit të Kosovës liderët e partive politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Nesër presidenti Shqiptar para se të përmbyllë këtë vizitë, planifikon të vizitojë dhe qytetin e Prizrenit, ku sipas paralajmërimeve, atje presidenti i Kosovës do t'i ndajë presidentit Moisiu dhe një medalje të veçantë.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG