Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

STANDARTET ME STATUSIN


Lutfi Dervishi, Tiranë

Presidenti Moisiu kërkoi gjatë vizitës në Prishtinë që të mos zgjatej çështja e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës, përndryshe ai paralajmëroi se zvarritja e këtij procesi do të lërë hapësirë për
ekstremistët e të gjithë palëve.
Duke dënuar dhunën si mjet i papranueshëm në zgjidhjen e problemeve kreu i shtetit shqiptar shprehu besimin e tij se “Kosova nuk ka kthim mbrapa”.
Z. Moisiu është i pari president i shtetit shqiptar që viziton zyrtarisht Kosovën dhe mesazhet që ai përcolli u mirëpritën nga autoritetet më të larta të Kosovës, por edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile, jetës akademike dhe universitare si dhe nga media.
Presidenti i Shqipërisë edhe më parë ka paralajmëruar se moszgjidhja e çështjes së statusit mund të çojë në dhunë. Një vit më parë në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan,
presidenti shqiptar kërkoi më tepër qartësi për plotësimin e standarteve.
Kosova është kthyer sërish në qendër të vëmendjes. Nuk ka ditë që delegacione të nivelit të lartë nga BE dhe NATO, nga vende anëtare të Bashkimit Europian, të mos zbresin në aeroportin e Prishtinës. Ngjarjet e 17-18 marsit e kanë rikthyer Kosovën në vëmendjen
ndërkombëtare. Por, nëse kërkohet një zgjidhje përfundimtare për Kosovën, pas qytetarëve të Kosovës është radha e fqinjëve për t’u shprehur. Dhe Shqipëria nuk ka pse të vazhdojë hezitimin për t’u prononcuar për këtë zgjidhje.
Në takimet e organizuara në Prishtinë presidenti shqiptar shprehu nevojën e thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe marrjes së masave konkrete.
Diplomacia dhe zyrtarët e Shqipërisë duke folur për të ardhmen euro atllantike të rajonit shpesh kanë neglizhuar theksin e bashkëpunimit real mes Shqipërisë dhe Kosovës. Deri më tani më tepër është folur se sa është vepruar. Është për të ardhur keq që bashkëpunimi në fushën universitare dhe akademike nuk është as në nivelin që ka qenë dikur. Projektet e shpalluar nuk ka nevojë të përsëriten. Ndërtimi i rrugës Durrës-Prishtinë duhet parë si prioritet, jo vetëm në rastin e shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Kosovës, por në vazhdimësi. Dy vende që flasin të njëjtën gjuhë nuk kanë pse t’i druhen bashkëpunimit. Për një mijë e një arsye, por edhe për interesat e përbashkëta që ndajnë, Shqipëria mund dhe duhet të bëjë shumë më tepër për Kosovën. Një thellim i bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjithë fushat do të jetë edhe një kontribut real për paqen dhe stabilitetin në rajon. Zgjidhja e çështjes së statusit
dhe zhvillimi ekonomik do të jenë parakushtet për një stabilitet në Kosovë dhe në vendet fqinjë.
Deklarimi i presidentit Moisiu për nevojën e shpejtimit të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së statusit të Kosovës shënon edhe një avancim të dukshëm të pozicionit të Shqipërisë, e cila më parë ka
shpenzuar kohë dhe energji për të qenë në rregull me formulën standartet para statusit. Tashmë pritet që edhe diplomacia dhe strukturat e shtetit shqiptar të jenë më agresivë në artikulimin e
qëndrimit të kreut të shtetit shqiptar: Standartet me statusin.


XS
SM
MD
LG