Ndërlidhjet

LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT-VEPËR NË LETËR


Lutfi Dervishi, Tiranë

Për të ilustruar se në çfarë niveli është lufta kundër korrupsionit në Shqipëri, mjafton të ngrihet vetëm një pyetje: sa zyrtarë, ish zyrtarë të lartë apo njerëz të botës së krimit janë arrestuar për akuza për korrupsion? Përgjigja është asnjë. Rezultatet konkrete mbeten jashtëzakonisht të kufizuara. Korrupsioni dëmton rëndë proceset politike, dëmton biznesin dhe investimet, thellon hendekun mes politikës dhe votuesit dhe bren moralin e shoqërisë. Fakti që prapa dyerve të burgjeve nuk qëndron asnjë peshk i madh, dëshmon mungesën e vullnetit politik, dobësinë e institucioneve të drejtësisë dhe veçanërisht institucionet e akuzës dhe të gjyqësorit. Por lufta ndaj korrupsionit nuk është një betejë që duhet të zhvillohet vetëm nga qeveria dhe institucionet. Opozita ka rolin e vet të pazëvendësueshëm në parlamen,t si me nismat legjislative, me denoncimin publik të rastit të korrupsionit, apo dhe me ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Nga përvoja e deritanishme opozita do të kishte fituar shumë më tepër, nëse komisionet hetimore parlamentare që ka ngritur, do t'i mëshonin më shumë zbardhjes së aferave të dyshimta sesa goditjes së kundërshtarëve politikë. Nuk mund të mendohet një luftë efektive ndaj korrupsionit pa përfshirë dhe atë të medias. Një media e pavarur dhe e çliruar nga presionet politike, por edhe nga presionet e grupeve të dyshimta të interesit, do të jepte një kontribut të vyer në denoncimin e korrupsionit. Afërmendsh që pritej se opozita do të shfrytëzonte këtë rast për të përsëritur akuzën e saj ndaj qeverisë aktuale, por në të vërtetë të dëmtuar të gjithë. Korrupsioni në Shqipëri mbetet një problem serioz. Sipas indeksit për percepsionin e korrupsionit të vitit 2003 nga Transparency International, Shqipëria renditet në vendin e 92-të nga 133 vende të marra në studim. Prej vitesh qeveria shqiptare ka vënë si prioritet të saj luftën ndaj korrupsionit. Në Shqipëri nuk është se mungon strategjia apo ligjet, por është mungesa në zbatimin e tyre. Madje Shqipëria merr pjesë në grupin e shteteve të Këshillit të Evropës kundër korrupsionit dhe aderon në disa ndërkombëtare antikorrupsion. Mirëpo planet antikorrupsion, komitetet komisionet dhe strategjitë duhen zbatuar në mënyrë që çështja e korrupsionit të mos mbetet në kuadrin e fjalëve. Premtimet që jepen herë pas here në publik duhet të jenë realiste dhe të shoqërohen me masa efektive. Ligjet kundër korrupsionit janë të standardeve evropiane, por zbatimi i tyre është në nivele ballkanike. Ligji për deklarimin e pasurive të zyrtarëve të lartë, i cili do të thotë se të paktën 5000 persona zyrtarë kalojnë në sitën e kontrollit, është një hap në drejtimin e duhur. Por zbatimi i tij le për të dëshiruar. Zvogëlimi i numrit të zyrtarëve që kanë imunitet dhe zbatimi më i mirë i ligjit për rryshfetin, do të bënte të mundur një luftë më efektive ndaj korrupsionit. Përhapja e korrupsionit dhe e krimit të organizuar mbetet një kërcënim serioz për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit. Është me rëndësishme që të ketë një koordinim më të mirë me institucioneve, njësiteve antikorrupsion dhe shoqatave joqeveritare që zbatojnë projekte në këtë fushë. Korrupsioni nuk duhet të trajtohet si çështje politike, por si një problem serioz për të gjithë. Nuk mund të ketë një politikë për qytetarët, një drejtësi të pavarur, një ekonomi të zhvilluar dhe një media të lirë pa hequr qafe gangrenën e korrupsionit. Duke stigmatizuar një parrullë të vjetër mund të thuhet pa drojë se korrupsioni është një çështje që duhet të merren të gjithë.


XS
SM
MD
LG