Ndërlidhjet

GJENERALËT AMERIKANË PËRBALLEN ME KONGRESIN PËR ABUZIMET E TË BURGOSURVE IRAKIENË


Andrew F. Tully

Dy gjeneralët, të cilët janë të ngarkuar me operacionet e forcave amerikane në Irak, u paraqitën para Kongresit për të shpjeguar publikisht se si ushtarët amerikanë nën komandën e tyre, kanë mundur t'i abuzojnë të burgosurit irakienë duke e shkelur Konventën e Gjenevës.
Gjeneralët pranuan se ka patur disa probleme në zinxhirin e komandimit te forcat pushtuese në Irak.
Por ata insistuan se abuzimet nuk ishin të përhapura, dhe se hetimet mbi skandalin do të jenë të plota.
Gjeneralët John Abizaid dhe Ricardo Sanchez të mërkurën u sollën para Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, për të dhënë llogari për sjelljet e vartësve të tyre.
Senatorët i pyetën ushtarakët pse kishin kaluar muaj prej se ata personalisht kishin mësuar për abuzimet e të burgosurve nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.
Gjeneral lejtnant Ricardo Sanchez, komandanti i trupave në Irak, tha se raporti i Kryqit të Kuq i datës 6 nëntor 2003, ishte dëshmia e parë për abuzimet e forcave amerikane në burgun Abu Ghraib.
Raporti më i gjërë i Kryqit të Kuq u dorëzua në shkurt 2004. Gjenerali Abizaid, kryekomandanti i forcave në Lindjen e Mesme, tha se për raportin kishte mësuar në fillim të majit, duke konkluduar se komunikimi mbi çështjen kishte të meta serioze.
"Ne kishim problem real me raportet e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, nga trajtimi dhe transmetimi i tyre në zinxhirin komandues. Për shembull, raportin e shkurtit 2004, për herë të parë e lexova në maj. Por, nuk dua të arsyetohem për këtë zotërinj senatorë", tha Abizaid.
Seanca u mbajt pasi në Bagdad, gjyqi ushtarak e dënoi me 1 vit burg ushtarin amerikan Jeremy Sivits, i cili u akuzua se kishte abuzuar të burgosurit irakienë në burgun Abu Ghraib.
Por gjenerali Abizaid theksoi se përkundër raporteve të Kryqit të Kuq, abuzimet në burgun e Bagdadit ishin ngjarje të izoluara.
Por senatori Robert Byrd, anëtar i Partisë Opozitare Demokratike u prononcua ndryshe.
"Gjeneral Abizaid, Kryqi i Kuq ka bërë akuza për abuzime në qendrat e paraburgimit në Irak. Si mund ta shpjegoni kulturën e abuzimit, e cila nën komandën tuaj ishte lejuar të zhvillohet në sistemin e burgjeve", pyeti senatori Byrd, ndërsa gjenerali Abizaid u përgjigj.
"Nuk besoj se kultura e abuzimit ka ekzistuar nën komandën time, dhe as nga ajo që më është thënë nga inspektori i përgjithshëm dhe departamenti i ushtrisë", tha Abizaid.
Por ai tha se probleme të ndryshme procedurale mund të kenë kontribuar në abuzimin e të burgosurve.
"Ky është problemi doktrinar i njohurive se çfarë kanë bërë pjesëtarët e policisë ushtarake, dhe a vepruan drejtë? Kjo çështje doktrinare duhet të rregullohet që të dihet nëse do të kemi të drejtë ti nxjerrim informatat e nevojshme për ta fituar luftën dhe mundur armikun", tha Abizaid.
Senatori gjithashtu pyeti nëse zyrtarët civilë të departamentit të Mbrojtjes i kishin miratuar rregullat për marrjen në pyetje të të burgosurve. Në përgjigjen e tij, gjenerali Sanchez tha se rregulla të tilla nuk ishin miratuar nga Uashingtoni.
"Si komandant kryesor në Irak, unë e pranoj përgjegjësinë për atë që ndodhi në Abu Ghraib, dhe solemnisht e marr përsipër përgjegjësinë për të siguruar se kjo më nuk do të përsëritet. Në 7 raste kemi ngritur gjyqe ushtarake, dhe mund të ketë edhe përndjekje tjera", tha Sanchez.
Gjeneralët Sanchez dhe Abizaid thanë se askush nuk do të kursehet nga përgjegjësia, pavarësisht nga gradat.

XS
SM
MD
LG