Ndërlidhjet

AKULTURIMI-PSE DHE DERI KU?


Bekim Bislimi, Prishtinë

Mjedisi ynë kulturor është duke ju nënshtruar devijimeve dhe ndikimeve të shkaktuara nga kultura të tjera dhe akulturimi është duke ndodhur në muzikën e përditshmërisë sonë në të gjitha zhanret, thotë Prof. Dr. Rexhep Muniqi, etnomuzikolog. Ai thotë se tashmë akulturimi nuk mund të vërehet vetëm si tendencë, por është proces që po zhvillohet.
"Gjendemi në një proces ku një numër i madh i zhanreve tona muzikore, nuk kanë identitet. Ne nuk mund ta dallojmë për shembull muzikën rep, muzikën e lehtë, muzikën pop apo një lloj tjetër muzikor dhe të themi kjo është muzikë pop shqipe. Nuk them që tani duhet të banalizohet apo të folklorizohet, por krijuesi i mirë, producenti i mirë, do të gjejë elemente të cilat do ta bëjnë të identifikueshme atë muzikë. Këtu qëndron ai procesi dhe ai fenomeni i akulturimit, që është i vërejtshëm. Ndryshe kompozitori Xhevdet Gashi, thekson se krijimtaria e muzikës popullore shqipe nuk është duke u zhvilluar, për shkak se ajo nuk është kërkesë e tregut. Prandaj siç thotë ai nuk ka se çfarë të prishet në këtë zhanër. Lidhur me zhvillimet e muzikës, e cila konsumohet më së shumti, zoti Gashi thotë:
"Fjala e akulturimit në faktë është me e rëndë. Kisha patur guximin të thoja se ka lindur një zhanër i muzikës pop, krejtësisht i ri dhe kjo ka ndodhur diku në dhjetëvjeçarin e fundit dhe ka lindur paralelisht. Jo vetëm në Kosovë e në Shqipëri, por në tërë Ballkanin. Muzikë që nuk ka identitet kombëtar të asnjë vendi. Këtë zhanër të ri të muzikës unë do ta quaja muzikë pop ballkanase".
Etnomuzikologu Muniqi thotë se në të shumtën e rasteve në muzikën që sot i ofrohet auditorit mbisundojnë jovlerat: "Një pjesë e madhe e realizimeve bëhen nga këndi ekonomik, pra nga kërkesa ekonomike, sepse muzika e përditshme është komercializuar në atë masë sa më nuk ka asnjë konsideratë se çfarë nxirret në treg. E rëndësishme që të merret paraja".
Ndërkaq kompozitor Gashi thekson:
"Zhanrin të cilin e përcaktova si muzikë pop ballkanike, kurrsesi nuk mundem ta quaj si jovlerë. Por nuk mund ta quaj as si vlerë, është në fazë zhvillimore".
Profesor Muniqi shpreh mendimin se problemi i akulturimit duhet shikuar në gjenezën e tij.
"Ne nuk e kemi barazpeshën e vlerave. Neve na mbisundojnë jovlerat dhe mbizotëron akulturimi mbi kulturimin ose mbi vlerën e vërtetë artistike. Në anën tjetër kompozitori Gashi, shpreh mendimin se zhvillimet negative në muzikën aktuale janë vetëm të modës, e cila, siç tha ai, nuk mund të ketë qëndrueshmëri të gjatë.
"Nuk ma merr mendja që mundet të ndikojë shumë në popullatë. Është çështje e modës".
Sidoqoftë profesor Muniqi shpreh mendimin se problemit të akulturimit duhet qasur në mënyrë të drejtë dhe duhen penguar të gjithë profesionistët muzikorë, mediat institucionet, por edhe shoqëria përgjithësisht.

XS
SM
MD
LG