Ndërlidhjet

ZYRTARËT KOSOVARË I SHPREHËN RESPEKT ISH-PRESIDENTIT REGAN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Liderët kosovarë janë nënshkruar sot në librin e zisë, në shenjë përkujtimi për ish-presidentin amerikan Ronald Regan. Me këtë rast, presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova tha se Ronald Regan ishte një president dhe njeri i madh që kontriboi në shembjen e një sistemi famkeq komunist. Kurse kosovarët, tha Rugova, për presidentin Regan kanë një respekt të madh, pasi që në kohën e tij sa ishte president i Shteteve të Bashkuara, filloi një përkujdesje më e madhe për Kosovën dhe u vunë kontaktet e para të Prishtinës me Uashingtonin:
“Në atë kohë, pra që aspironim lirinë, demokracinë dhe pavarësinë, gjithësesi është një moment i dhimbshëm, por edhe i krenarisë, sepse presidenti Regan e ka plotësuar jetën e vet, i ka kontribuar vendit të vet dhe krijimit të botës së lirë dhe kombeve të lira, e në këtë kuadër edhe të Kosovës, pra është kontribut i tij që Kosova sot është e lirë dhe së shpejti edhe formalisht e pavarur”, tha presidenti Rugova.
Më pas në librin e zisë është nënshkruar dhe kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili tha se presidenti Regan ishte një prej presidentëve më të sukseshëm të Shteteve të Bashkara, i cili përballoi me sukses luftën e ftohtë dhe trasoi rrugën për një botë më moderne dhe demokratike:
“Ishte ai njeri që diti të gjejë formën më të mirë, që diti të bëj zgjedhjet me racionale, por në të njëjtën kohë përkujtohet nga qytetarët amerikanë dhe popujt e tjerë në botë se ka qenë një njeri i pajisur me ndjenjën patriotike dhe humane, prandaj me të vërtetë ka qenë një president shumë i madh, i cili përkujtohet me respekt nga të gjithë”, theksoi kryeministri Bajram Rexhepi.
Ndërsa komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjenerali Agim Çeku, tha se kishte respekt të madh për vizionin e politikës së jashtme të presidentit Regan, paqja përmes fuqisë, çka sipas tij dëshmoi një lidership të fuqishëm të tij që reflektoi me ndryshime pozitive në Evropë, e rrjedhimisht dhe në Kosovë:
“Bëri që të rrëzohet Muri i Berlinit, bëri që të përfundojë një epokë e errët e komunizmit dhe u mundësoi të gjithë popujve, në veçanti të Evropës Lindore, asaj Qëndrore dhe këtu në Ballkan që të vetëpërcaktohen, që të zgjedhin rrugën e vet drejt ndërtimit të një jete të lumtur, demokratike, një Evropë të bashkuar, dhe pikërisht ajo që ai synonte atë kohë tani është duke u realizuar e ne jemi dëshimtar të saj. Edhe në Kosova e kemi gjetur veten në atë rrugë, jemi pjesë e asaj bote çfarë ai ka synuar ta ndërtojë dhe për këtë arsye ne i jemi shumë mirënjohës”, tha gjenerali Çeku.
Nënshkrimet në librin e zisë për presidentin Ronald Regan janë organizuar në Zyrën Amerikane në Prishtinë. Gjatë ditës, aty sot janë nënshkruar personalitetet më të larta politike vendore dhe përfaqësuesit më të lartë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.



XS
SM
MD
LG