Ndërlidhjet

KASER:"PARALIZË E FORCAVE POLITIKE TË KOSOVËS"


Karl KASER, profesor në Universitetin e Grazit

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është bërë dhe sa nuk është bërë në këtë 5 vite në Kosovë?

KARL KASER
Ka shumë gjëra për të bërë në Kosovë, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë shumë e sukseshme. Nuk është zgjidhur çështja e statusit, situata ekonomike është shumë e vështirë dhe nuk shihet avancim as për shqiptarët dhe as për serbët. Kjo ndikon në jostabilitetin në Kosovë dhe kushtëzon edhe dhunën. Kuptohet nëse gjendja e tashme krahasohet me ate para 5 vitesh ajo gjithsesi është më e mirë, sepse Kosova është më e sigurt, por kjo është larg trendit të pritur pozitiv dhe zgjidhjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Kus është fajtor për këtë situatë. Kemi të bëjmë me joefikasitetin e forcave ndërkombëtare në Kosovë apo problemi qëndron te çasja e përgjithshme e bashkësisë ndërkombëtare?

KARL KASER
Po, mund të thuhet se administrata ndërkombëtare në masë të konsiderueshme është jo efikase. Problem tjetër është situata e brendshme politike në Kosovë dhe Serbi. Forcat politike shqiptare dhe serbe janë shumë të dobëta. Ato nuk janë të gatshme për çfardo kompromisi rreth ardhmërisë së Kosovës. Srebët dhe shqiptarët madje nuk janë të gatshëm as të bisedojnë ndërmjet veti.
Kur bëhet fjalë për pavarësinë duhet pasur parasysh dy momente: sëpari i ashtuquajturi "efekti domino" mund të ketë pasoja serioze për Bosnjën e Hercegovinën. Së dyti, forcat politike shqiptare në masë të konsiderueshme janë të paralizuara.Mendoj se në këtë çast nuk ekziston forcë politike shqiptare që në rast të pavarësimit do të garantonte stabilitetin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni politikën e standardeve?

KARL KASER
Kemi të bëjmë me një program që garanton mosbërjen e asgjëje në këtë çast. Pra, të mos bëhet asgjë, të mos ndryshohet asgjë. Kemi të bëjmë me një përpjekje për përmirësimin e punës së administratës, të sigurisë, por të mos prekjes së statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ekziston zgjidhje që do të ishte e pranueshme për të gjitha palët?

KARL KASER
Një nga zgjidhjet që është duke u diskutuar është ndarja e Kosovës. Pjesa verilindore rreth Mitrovicës me minierat e në këtë rajon do t'i takonte Serbisë, ndërsa pjesa tjetër e Kosovës do të definonte pozicionin e vet. Kuptohet, ekzistojnë argumente shumë të forta kundër këtij opcioni. Mundësi tjetër është që i tërë ai rajon, mendoj i tërë Balkani, sa më parë të pranohet në Unionin Evropian. Nuk mendoj se kjo është realiste dhe e mundshme në 5 deri 10 vitet e ardhshme, por ky do të ishte opcioni më i mirë.

XS
SM
MD
LG