Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

EVROPIANIZIMI I MISIONIT NË KOSOVË ËSHTË IMPERATIV


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Politikanë dhe analistë të Kosovës mendojnë se ideja e evropianizimit të misionit ndërkombëtar në Kosovë dhe e vetë Kosovës, është në pajtim me synimet për integrimet evroatlantike të Kosovës dhe nuk duhet humbur shumë kohë për këtë proces.
Analisti Ylber Hysa, drejtor i institutit KACI, tha se ai bënte pjesë në grupin e njerëzve që qysh herët ka dashur të theksojë rolin që Kosova duhet ta ketë në plan afatgjatë përballë integrimeve evroatlantike dhe që kjo duhet pasur parasysh edhe si objektiv të qeverisjes ndërkombëtare, për ta bërë Kosovën gati për një rrugë, e cila nuk çon vetëm drejt pavarësisë, por edhe drejt pavarësisë plus:
"Konsideroj që do të ishte një humbje kohe edhe për Brukselin edhe për ne, që të mos fillonim të mendonim për këtë proces."
Ndërkaq, Belul Beqaj, kryetar i Lëvizjes Evropiane të Kosovës mendon se nuk ka alternativë tjetër, përveç integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian:
"Kosova pa alternativë një ditë duhet të integrohet në kuadër të bashkësisë evropiane, prandaj edhe është në interes të përhapjes së vlerave evropiane, humanizmit dhe ideve dhe është në interes të Kosovës që të hapen dyert për bashkëpunim me BE-në, që një administratë e tillë të jetë në fuzionim me interesat e përbashkëta," tha zoti Beqaj, sipas të cilit Bashkimi Evropian edhe gjatë këtyre pesë vjetësh të administrimit ndërombëtar të Kosovës ka qenë i përfshirë në të gjitha proceset, prandaj edhe integrimi është më i lehtë.
Me idenë e evropianizimit të misionit pajtohen edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Shefi i grupit parlamentar të koalicionit Kthimi, Dragisha Kërstoviç tha se një proces i tillë nuk është në kundërshtim me interesat e askujt në Kosovë:
"Unë pajtohem plotësisht me qëndrimin që në vend të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të vijë një mision i Bashkimit Evropian dhe që Bashkimi Evropian të merret me problemin e Kosovës," tha Dragisha Kërstoviç.
Mirëpo, Ylber Hysa mendon se ristrukturimi i misionit aktual ndërkombëtar duhet fillimisht të kalojë nëpër një fazë të caktuar të reformimit:
"Transformimi i UNMIK-ut duhet të shkojë drejt asaj që të bartë më shumë kompetenca tek institucionet vendore për të ndërtuar një partneritet, i cili shkon drejt asaj që misioni i UNMIK-ut në fund të jetë mbikëqyrës i procesit, me të drejtë vetoje për procese, që lidhen me pjesën e rezervuar të pushtetit e pse jo të ketë një rol të strukturave evroatlantike në këtë proces," tha zoti Hysa ndërkohë që Belul Beqaj, duke komentuar frikën e shqiptarëve nga një mision evropian në Kosovës, për shkak të lidhjeve më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë:
"Mendoj se koncepti me të cilin shqiptarët janë aktualisht të ngarkuar është i tejkaluar, pasi pikërisht formimi i shteteve të bashkuara evropiane ka qenë koncept amerikan që është lansuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 42' të luftës, prandaj me vetë faktin që amerikanët kanë bërë përpjekje për formimin e shteteve të bashkuara evropiane flitet për interesin amerikan që në Evropë të formohet një administratë e përbashkët."
Sidoqoftë, analistët dhe politikanët mendojnë se evropianizimit eventual të misionit ndërkombëtar në Kosovë që është përmendur nga disa politikanë evropianë dhe zyrtarë të Kosovës, domosdo duhet t’i paraprijë një proces i relaksimit të rolit të UNMIK-ut, përmes bartjes së pushtetit te vendorët.


XS
SM
MD
LG