Ndërlidhjet

M.HENNEKE: SHQYRTIMI I TËRËSISHËM I KORNIZËS KUSHTETUESE - JASHTË KOMPETENCAVE TË KUVENDIT


Bekim Bislimi, Prishtinë

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë e ka quajtur jashtë kompetencave të Kuvendit të Kosovës, shqyrtimin e tërësishëm të Kornizës Kushtetuese. Ky reagim i UNMIK-ut ka pasuar aprovimin e sotëm të amendamenteve në Kornizën Kushtetuese të Kosovës nga deputetët e Kuvendit. Methilde Henneke, zëdhënëse e UNMIK-ut, tha se misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë për së afërmi e ka përcjellë seancën e sotme të Kuvendit, ku janë diskutuar dhe miratuar propozimet për amendamentimin e Kornizës Kushtetuese. Ajo tha se qëndrimi i Misionit të Kombeve të Bashkuara lidhur me këtë nismë, është i qartë:
"Shqyrtimi i tërësishëm i Kornizës Kushtetuese është jashtë kompetencave të Kuvendit, kurse propozimet specifike, të veçanta për fushat që nuk bëjnë pjesë në përgjegjësitë e rezervuara, duhet të merren në konsideratë”, tha zëdhënësja Henneke.
Sipas saj, Misioni i Kombeve të Bashkuara mbetet i hapur për të diskutuar këto propozime, duke u thirrur në procedurën e paraparë me Kornizën Kushtetuese. Zëdhënësja Henneke ka përkujtuar se javët e fundit ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut, Çarls Brajshou, disa herë ka biseduar me kryeparlamentarin Nexhat Daci, duke i thënë atij se u duhet kushtuar vëmendje e madhe qëndrimeve të Këshillit të Sigurimit, si dhe deklaratës së Grupit të Kontaktit lidhur me prioritetet për Kosovën.
“Mbi këtë bazë, Brajshou, ka thënë se Kosova duhet të përqëndrohet kryesisht në planin për zbatimin e standardeve”, tha zëdhënësja Henneke.
Sidoqoftë, UNMIK-u, megjithse i ka kundërshtuar, nuk i ka shpallur të pavlefshme votimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë që vetë shefit të UNMIK-ut i mbetet të thotë fjalën përfundimtare lidhur me këto ndryshime, pasi pavarësisht nga miratimi në Kuvnd, secili vendim duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

XS
SM
MD
LG