Ndërlidhjet

NËNSHKRUHET DEKLARATA PËR PAJTUESHMËRINË NË PËRPJEKJET PËR PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Drejtuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, dhe udhëheqës të partive kryesore politike të shqiptarëve dhe të serbëve të Kosovës kanë miratuar sot një deklaratë të përbashkët nga takimi që është mbajtur sot paradite në zyrën amerikane, në praninë e udhëheqëses së kësaj zyre Marcie Ries dhe përfaqësuesit të lartë të zotit Javier Solana për Kosovën, Fernando Gentilini.
Në deklaratën e lëshuar nga zyra amerikane, nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit, thuhet se kjo pajtueshmëri është arritur në përpjekjet për përmbushjen e standardeve, në mënyrë që të shmanget përsëritja e çfarëdo dhune si ajo e marsit, të arrihet përmirësimi cilësor i jetës për qytetarët e Kosovës, pajtimi dhe bashkëpunimi ndëretnik, në mënyrë që të bëhet përparim drejt Evropës. Me qëllim që të arrihet kjo, pjesëmarrësit janë pajtuar që të bashkëpunojnë për përfundimin e rindërtimit të shkollave dhe të sa më shumë shtëpive që është e mundshme, dhe është theksuar obligimi dhe përkushtimi i secilit për t’i dhënë shtytje të re dhe konkrete procesit të kthimit, pa marrë parasysh etnitetin, racën apo fenë, si në nivelin lokal ashtu dhe në atë qendror. Në funksion të përpilimit të një stategjie gjithëpërfshirëse për kthimin, është kërkuar nga UNMIK-u të marrë në konsiderim krijimin e një Ministrie që do të jetë përgjegjëse për çështjet e bashkësive, të drejtave të njeriut dhe kthimit, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Vetë pjesëmarrësit e takimit e kanë vërtetuar mbështetjen e tyre për këtë deklaratë. Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova e quajti takimin mjaft të frytshëm:
"Patëm një takim që e vazhduam nga takimi i kaluar, një takim mjaft i frytshëm dhe konstruktiv dhe për këto çështje si sigurinë, kthimin, rindërtimin dhe çështje të tjera, si dhe rreth një ministrie".
Ndërkaq, kryeministri Bajram Rexhepi tha se takimi i sotëm u hap rrugën shumë proceseve në të ardhmen:
"U diskutua kryesisht rreth procesit të kthimit, për një siguri më të mirë dhe për shumë procese në të ardhmen," tha kryeministri Rexhepi duke vërtetuar mbështetjen për deklaratën e përbashkët.
Vetë nikoqirja e këtij takimi, shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Marcie Ries e quajti të arritur të madhe pajtueshmërinë për dokumentin e përbashkët:
"Patëm një takim shumë të mirë, që u zhvillua në frymën e vullnetit të mirë", tha Marcie Ries.
Konkluzionet e deklaratës, përfaqësuesi i koalicionit të serbëve "Kthimi" Oliver Ivanoviç, i ka cilësuar si zotimin më serioz të përfaqësuesve shqiptarë drejtuar bashkësisë serbe:
"Mendoj se këtë herë kemi marrë zotime më të qarta të përfaqësuesve shqiptarë, që do të ndërmarrin gjithçka që është në dorën e tyre për ta realizuar kthimin, dhe kjo është thënë shumë më sinqerisht dhe shumë më fuqishëm se përpara," tha Ivanoviç.
Rezultatet konkrete i quajti konkluzionet e takimit edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi:
"Në kuadër të kësaj hyn procesi i rindërimit, i zhvillimit ekonomik, i privatizimit, i vazhdimit të kthimit të refugjatëve në shtëpitë dhe pronat e tyre, i gadishmërisë për pjesëmarrje në zgjedhje," tha zoti Thaçi, duke vlerësuar se kjo e bën Kosovën të jetë e përgatitur mirë për t’i hyrë zgjidhjes së statusit final menjëherë pas zgjedhjeve të tetorit.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se dokumenti i sotëm krijon mundësitë për pjesëmarrjen e të gjithëve në zgjedhje:
"Dokumenti i sotëm ka të bëjë me mundësinë dhe hapësirat për pjesëmarrje në procesin politik dhe në procesin e gjithanshëm në Kosovë për pakicat, pra është krijim i kushteve dhe rrethanave për pjesëmarrje edhe në zgjedhje, por edhe në institucionet e Kosovës."
Mirëpo, ndërkohë që pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje as që përmendet në dokument, Oliver Ivanoviç tha se me gjithë përparimin e bërë, serbët ende nuk kishin vendosur për pjesëmarrjen apo jo në zgjedhje, por sipas tij, ky dokument krijon klimë të favorshme, nga e cila do të nxirren edhe vendime të mira.

XS
SM
MD
LG