Ndërlidhjet

RUGOVA: KOSOVA TË PËRFAQËSOHET NË KOMISIONIN NDËRKOMBËTAR PËR BALLKANIN


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Pasojat e trazirave të marsit pothuajse janë tejkaluar, ndërsa gjendja e përgjithshme jo vetëm që është konsoliduar, por është shënuar edhe një përparim i dukshëm, ka thënë sot presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, pas një takimi që ka pasur me anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin. Presidenti i Kosovës tha me këtë rast se ka filluar rindërtimi i shtëpive të dëmtuara gjatë trazirave të marsit, ndërsa fakti më pozitiv, sipas tij është se njerëzit po kthehen në shtëpitë e tyre.
“Dhe po ashtu ne po hymë në fazën e zhvillimit ekonomik që Kosova duhet të japë garanci për investime, si dhe çështja e kompetencave dhe gjithësesi një integrim të minoriteteve në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës,” tha kryetari Rugova duke shtuar se institucionet vendore janë të hapura për çdo kthim të atyre që dëshirojnë të jetojnë në Kosovë.
Zoti Rugova tha se ka kërkuar nga ky delegacin që edhe Kosova të jetë e përfaqësuar në Komisionin Ndërkombëtar për Ballkanin.
“Prandaj unë kërkova që Kosova të jetë e përfaqësuar në këtë komision ndërkombetar për rajonin tonë, pra për Evropën Juglindore, apo Ballkanin, dhe do të kemi një bashkëpunim të ngushtë që Kosova të përfaqësosohet dhe që të këtë një mendim pozitiv në këtë komision për Kosovën, si një vend që do të jetë në Bashkimin Evropian, NATO dhe miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Avis Bohlen, ish zëvendëssekretar amerikan i Shtetit për Evropën dhe Kanadanë dhe ish ambasadore në Bullgari tha se çmonte shumë informacionet që kishte marrë nga presidenti Rugova:
“Ne jemi këtu në një mision për të gjetur fakte për punën tonë, prandaj edhe kemi marrë shënime për ato që na ka thënë sot presidenti Rugova”, tha ambasadorja Bohlen.
Sidoqoftë, ajo nuk ka thënë në mënyrë të qartë se cili ishte misioni aktual i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, që është një komision 17 anëtarësh, në kuadër të të cilit janë figura të njohura politikanësh dhe burra shteti nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


XS
SM
MD
LG