Ndërlidhjet

BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE MIRËPRET MIRATIMIN E LIGJIT PËR ORGANIZIMIN TERRITORIAL TË MAQEDONISË


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

Miratimi i "Ligjit për Organizimin Territorial" është një hap i rëndësishëm për decentralizimin e pushtetit vendor, në perspektivën e vendit drej proceseve euroatlantike, kanë vlerësuar përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Maqedoni.
"Misioni i OSBE-së në Shkup beson se miratimi i "Ligjit për Organizim Territorial" nga ana e parlamentit të Republikës, është një tregues shumë i rëndësishëm për angazhimin serioz të strukturave udhëheqëse për të decentralizuar pushtetin deri më 1 janar të vitit 2005, ashtu siç është paraparë në marrëveshjen paqësore, si një nga çështjet më të rëndësishme për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat evropiane", thotë zëdhënësi i OSBE-së në Shkup Maksim Fillandof.
Edhe përfaqësuesit e zyrës së Bashkimit Evropian në Shkup kanë përshëndetur dhënien vizë të ligjit kryesor për decentralizim, atë të Organizimit Territorial nga ana e parlamentit. Zëdhënësi i ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shkup Ben Kermton, thekson se pikërisht decentralizimi është ai që i hap rrugë vendit për në Evropë. Ndërkohë duke komentuar mosmbështetjen e ligjit në fjalë nga ana e opozitës zëdhënësi i zyrës së BE-së në Shkup vlerëson:
"Paketa ligjore për decentralizim që shtrohet në parlament është një nga komponentët qëndrorë të marrëveshjes paqësore dhe është mëse e logjikshme që të ketë polemika lidhur me këto ligje, tek e fundit opozita ka atë për obligim; të shpalosë gjithnjë kundërargumente. Por kuptohet në kuadër të ligjeve", thekson zëdhënësi Ben Kermton, nga zyra e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shkup Majkëll Salin.
Nga ky institucion gjithashtu vlerësojnë se pikërisht miratimi i paketës ligjore për decentralizim dhe mbajtja e zgjedhjeve në afatin e paraparë, më 21 nëntor, do të përforcojë stabilitetin e vendit.
"Miratimi i Ligjit për Organizim Territorial drejtpërdrejt ndikon në stabilizimin e vendit", vlerëson zëdhënësi Kermton, duke ritheksuar se në këtë formë afrohet vendi drejt familjes evropiane.



XS
SM
MD
LG