Ndërlidhjet

CERVENKOVSKI: PËRPARIM NË REFORMAT NË MBROJTJE


Sefer Tahiri, Shkup

Reformat në ushtrinë e Maqedonisë me anë të së cilave synohet realizimi i aspiratave për anëtarësim në NATO, zhvillohen me tempo të shpejtuar. Ky është vlerësimi i kryetarit të shtetit dhe njëherësh Komandant Suprem i Forcave të Armatosura Branko Cervenkovski.
"Pjesëmarrja e ushtarëve në Afganistan dhe në Irak dhe vlerësimet e suksesshme për angazhimin e tyre, janë dëshmi më e mirë për cilësinë e reformave që i zbatojmë", tha kryetari i Republikës së Maqedonisë Branko Cervenkovski, duke folur në manifestimin me rastin e shënimit të Ditës së Ushtrisë. Ai më pas shtoi se deri në fund të vitit 2005, do të bëhet transferimi i kompetencave në sigurimin e kufijve nga ushtria në polici gjë që do të çojë në demilitarizimin e kufijve, që është njëri nga standardet e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, parashihet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve dhe i bashkësive të tjera në ushtri, proces ky që ka për qëllim ta përforcojë dhe inkurajojë besimin e qytetarëve në të.
"Gjatë dy viteve të ardhshme do ta rrumbullakësojmë procesin e integrimit real të pjesëtarëve të bashkësive etnike në strukturat e mbrojtjes dhe të sigurisë që ka rëndësi strategjike për zhvillimin e ardhshëm të shtetit", tha Cervenkovski.
Analisti Nazmi Maliqi vlerëson se deri tani përfaqësimi i shqiptarëve realizohet me sukses.
"Komponentët shumënacional është shumë e rëndësishme që në postulatet e kësaj shumëngjyrësie, shumëkulture që ka Maqedonia, ta reflektojnë realitetin edhe në ushtri edhe në polici, por edhe në të gjitha segmentet e tjera."
Ndryshimet që bëhen në sektorin e mbrojtjes për ta realizuar përcaktimin për integrim në NATO dhe jetësimin e dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit, duhet të mbështeten, por ato mund të jenë më esenciale.
"Nëse jepen kritika se reformat janë të ngadalshme, kjo ka të bëjë me faktin se në shoqërinë tonë në përgjithësi nuk ka rezultate të lakmueshme", tha profesoresha e Institutit të Mbrojtjes Lidia Georgeva.


XS
SM
MD
LG