Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

PETERSEN DHE REXHEPI NË MITROVICË BËNË THIRRJE PËR RINDËRTIMIN E RAPORTEVE NDËRNJERËZORE


Rrahman Paçarizi, Mitrovicë

Marsi i trazuar nuk do të ndodhë më kurrë në Kosovë, ndërsa tani ka filluar faza e rindërtimit, jo vetëm fizik të shkatërrimeve të marsit, por edhe rindërtimit të infrastrukturës shoqërore, ka thënë sot shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Këto komente ai i ka bërë në fshatin Frashër, përkatësisht Svinjar të Mitrovicës, teksa me kryeministrin Bajram Rexhepi dhe me prefektein e Mitrovicës Faruk Spahia, kanë vizituar rindërtimin e shtëpive të këtij fshati më të shkatërruar të Kosovës, gjatë trazirave të marsit:
"Është e qartë se kjo kurrë më nuk duhet të ndodhë dhe ne do të bëjmë gjithçka që kjo të mos ndodhë kurrë më," tha kryeadministratori Jessen Petersen, duke shfaqur kënaqësinë që njerëzit kishin shprehur gadishmërinë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Ai ka thënë se tani duhet kaluar nga faza e shkatërrimeve drejt fazës së rindërtimit, jo vetëm fizik, por edhe të infrastrukturës shoqërore, në mënyrë që të mund të jetohet. Kryeministri Rexhepi u shpreh i kënaqur nga dinamika e rindërtimit dhe premtoi angazhim të mëtejshëm:
"Fillimisht kemi vizituar fshatin Frashër, Svinjar që është me numrin më të madh të shtëpive të dëmtuara gjatë marsit. Mendoj se ekspertët e komunës kanë reaguar shpejt për të bërë vlerësimin e dëmeve dhe procesi i rindërtimit po shkon me dinamikën e paraparë," tha kryeministri Rexhepi, duke i shpjeguar kryeadministratorit Jessen Petersen se në këtë fshat janë djegur 137 shtëpi të serbëve dhe ka premtuar se do të ndërtohen edhe objektet përcjellëse.
Kryeministri Rexhepi ndërkohë ka paralajmëruar zgjerim të kompetencave për qeverinë e Kosovës, me ç’gjë do të krijohej hapësirë për të bërë edhe më shumë dhe ka bërë të ditur se një pjesë e përgjegjësive do të barten madje gjatë këtij mandati qeveritar.
Në anën tjetër, banorët e fshatit Frashër, përkatësisht Svinjar thanë se ishin të kënaqur që po u ndëroheshin shtëpitë dhe shprehën gadishmërinë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, por i kanë kërkuar kryeadministratorit Petersen më shumë siguri dhe vende pune. Vojislav Joviç, shtëpia e të cilit tashmë ishte riparuar tërësisht, i tha kryeadministratorit Jessen Petersen se ai kishte dashur të kthehej në pronën e tij, por, siç u shpreh ai nuk është kthim nëse këtu nuk do të vijnë edhe nipërit dhe mbesat:
"Nëse kthehem unë si plak, unë kthehem vetëm për të vdekur, nëse nipërit nuk më kthehen, ndërsa atyre i duhet liria e lëvizjes dhe puna," tha Vojislav Joviç. Duke shprehur pajtueshmërinë me plakun serb, shefi i UNMIK-ut Petersen tha se e dinte se për kthimin e të rinjve serbë në Kosovë duhet të kishte shpresa në mënyrë që ata të kenë punë, siguri dhe arsimim dhe pikërisht për këtë po punojmë, edhe pse kjo do të marrë pak kohë:
"Kosova duhet të jetë një vend ku edhe të rinjtë mund të kenë shpresa se këtu ka ardhmëri dhe kështu ju do të mund t’i ktheni nipërit tuaj në Kosovë," tha Petersen, i cili vizitoi edhe pjesën veriore të Mitrovicës.
Ndërkohë, zyra amerikane në Prishtinë ka njoftuar se qeveria e SHBA-ve do të japë 7 milionë e 250 mijë dollarë amerikanë për të përkrahur procesin e kthimit të personave të zhvendosur dhe refugjatëve në Kosovë. Sipas zotit Goldberg, “Kthimi dhe Kosova multietnike janë prioritete të larta për qeverinë e SHBA-ve, e cila është zotuar të ndihmojë Kosovën të përmbushë tetë standardet, të tregojë aftësinë e saj për vetëqeverisje efikase dhe një nga këto standarde ka të bëjë me zgjidhjen e problemit të njerëzve që janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, posaçërisht të komuniteteve të minoriteteve," thuhet ndër të tjera në komunikatën e zyrës amerikane në Prishtinë.



XS
SM
MD
LG