Ndërlidhjet

RRETH 30 TË ARRESTUAR NË PROTESTAT PËR TË ZHDUKURIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dhjetëra pjesëtarë të policisë ndërkombëtare kanë ndërhyrë me forcë sot për të liruar rrugën kryesore të Prishtinës nga protestuesit që po shënonin ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur dhe po kërkonin ndriçimin e fatit të më të dashurve të tyre. Me këtë rast policia ka arrestuar më shumë 30 protestues, të cilët kanë refuzuar urdhërat e policisë për t’u larguar nga rruga, ka thënë zëdhënësi rajonal i policisë së UNMIK-ut, Malcom Ashbey:
"Mendoj se 15 prej tyre tashmë janë liruar dhe edhe të tjerët do të lirohet gjatë pasdites, pasi të procedohen në stacionin e policisë," tha zëdhënësi Ashbey, sipas të cilit gjatë përleshjeve të vogla që janë shënuar, nuk ka pasur të lënduar as nga protestuesit dhe as nga policia. Ashbey tha se arsyeja e arrestimit ishte se protestuesit kishin bllokuar rrugën kryesore, edhe pse autoritetet më herët e kishin refuzuar kërkesën e organizatorëve për të protestuar në rrugë:
"Ata janë lejuar të protestojnë, por jo pengojnë rrugët," tha Malcolm Ashbey, duke shpjeguar se protesta është lejuar përpara Teatrit Kombëtar, por ata nuk kanë pranuar. Ashbey tha se ua kanë tërhequr vëretjen se do të arrestohen dhe kjo po ndodh. Rreth orës dhjetë policia ka filluar të arrestojë protestuesit, përfshirë edhe femrat.
Situata është keqësuar kur disa plaka janë alivanosur si rezultat i forcës që ka përdorur policia dhe kanë filluar kundërshtimet dhe përleshjet e vogla me policinë:
Ibrahim Makolli, zëdhënës i Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, tha se dhuna e përdorur nga policia ishte e paarsyetueshme dhe e pakuptimtë:
"Imazhet që janë parë dhe po shihen nuk duan koment. Në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, edhe familjarët kosovarë të të zhdukurve kanë të drejtë të dinë më shumë për fatin e më të dashurve të tyre dhe fakti që po trajtohen kësisoj nga policia, nuk do koment. Forma e tillë e protestës së qetë dhe ndërhyrja kaq vullgare e policisë nuk është parë në këto pesë vjetët e fundit,"
Zoti Makolli tha se autoritetet përgjegjëse të policisë as që kanë dashur të kontaktojnë me përfaqësuesit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Protesta që po vazhdon do të zgjasë sipas organizatorëve deri në orën 20, ndërkohë, që forca të mëdha të policisë speciale po qëndrojnë në afërsi të protestuesve, për t’u siguruar se nuk do ta mbyllin rrugën. Asociacionet e familjarëve të personave të zhdukur prej më shumë se pesë vjetësh vazhdojnë të protestojnë në kërkim të ndriçimit të faitit të më shumë se 3000 shqiptarëve të zhdukur nga koha e luftës në Kosovë.


XS
SM
MD
LG