Ndërlidhjet

POZITË E PAVOLITSHME E FEMRAVE NË KOSOVË NË FUSHËN E PUNËSIMIT


Nadije Ahmeti, Prishtinë

Prej 60 për qind e grave që mendohet se janë aktive dhe kanë mundësi të punojnë, vetëm 31 për qind në fakt kanë vende të punës. Mejreme Shema, koordinatore nacionale e Rrjetit të Gruas Sindikaliste të Kosovës, thotë se edhe kjo përqindje e grave është e punësuar në arsim, shëndetësi dhe administratë:
“Por në vendet ku është bërë privatizimi ka shumë pak gra të punësuara, sidomos tani kur bëhet ndryshimi i pronës prej asaj shoqërore në pronë private. Gratë e kanë humbur një shans të madh të punësimit për arsye se mendohet se gruaja nuk është stabile në punë, për shkak të pushimit të lehonisë, kujdesit të fëmijëve dhe problemeve që kanë në familje.”
Edhe Habit Hajredini, drejtor i zyrës që midis të tjerash merret çështjet gjinore në Qeverinë e Kosovës, është i pajtimit se pozita e gruas në tregun e punës është e dobët. Ai tha se të dhëna konkrete deri tani nuk ka, për arsye të mungesës së regjistrimit të popullatës në përgjithësi.
“Kur flasim në aspektin social nuk është gjendje e mirë në aspektin e punësimit, sepse e tërë ajo që është në Kosovë ndihet një papunësi e madhe dhe në veçanti femra kosovare pëson më së shumti në këtë drejtim. Po flas në aspektin e realitetit tani. Në aspektin e përgjithshëm nuk shoh ndonjë projekt gjithëpërfshirës në Kosovë në projektin e punësimit të femrave në Kosovë.”
Zonja Shema, mendon se fajtor për mospunësimin e gruas është vetë femra. Ajo tha se gruaja duhet të jetë më aktive dhe më e dukshme kudo, si në shoqëri e politikë, ashtu edhe në familje.
“Janë shumë faktorë që na çojnë tek fajtori, por në përgjithësi pak janë edhe femrat vetë fajtore, sepse mendojnë se ndryshimet duhet të vinë nga meshkujt. Sepse mendojnë se meshkujt duhet t'u gjejnë vendin e punës apo t'i bëjnë në një shkallë më të lartë të punësimit, apo t'u gjejnë pozita. Gruaja vetë duhet të luftojë për pozitën e saj, të duket më e dukshme kudo, edhe në shoqëri, punë, politikë, por dhe familje”.
Ndërsa, zoti Hajredini tha se janë institucionet ato që duhet të bëjnë më shumë në avansimin e gruas në punë, duke filluar me hapjen e vendeve të reja të punës.
“Sepse ky është një inkurajim dhe respekt për gruan, sepse meshkujt munden të jenë edhe fuqi fizike që mund të përballojnë dhe të gjejnë më lehtë punë, ndërsa femra jo.”
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në muajin korrik të këtij viti ka miratuar ligjin për barazinë gjinore, por, siç thotë edhe zoti Hajredini, ai akoma nuk ka filluar të zbatohet.



XS
SM
MD
LG