Ndërlidhjet

SA ZBATOHEN VENDIMET GJYQËSORE CIVILE NË KOSOVË?


Albana Isufi, Prishtinë

Një studim i Qendrës Kombëtare për Gjykatat Shtetërore, ka vënë në pah se në Kosovë nuk zbatohen vendimet gjyqësore civile.
Sipas studimit, kur një qytetar fiton një lëndë të natyrës civile në gjyq, ai duhet të inicojë “lëndën tjetër për ekzekutim", duke kërkuar nga gjykata që ta zbatojë vendimin e vet.
“Ky studim tregon se më pak se një prej pesë lëndëve të paraqitura në gjykatat komunale të Kosovës në vitin 2003 janë përfunduar, dhe se rritja e numrit të kërkesave të reja në vitin 2004 ka gjasë që të zvogëlojë edhe më tej mundësinë e gjykatave që të përballojnë të gjitha lëndët”, thotë juristja Edita Kusari nga Qendra Kombëtare për Gjykata Shtetërore, qendër kjo që ka kryer studimin në bashkëpunim me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështje Legjislative dhe Gjyqësore Arsim Bajrami, thotë se Kosova përbën një rast të veçantë ku gjykata nuk i zbaton vendimet e veta.
“Askund në botë nuk ndodh që gjykata të mos i zbatojë vendimet e veta – kjo është e mundshme vetëm në ato sisteme ku ka ndërhyrje politike në gjykata. Në sistemet me gjyqësi të avancuara moszbatimi i vendimeve të gjykatave është një delikt dhe ai që vepron kështu ndëshkohet,” thotë Bajrami.
Nga ana tjetër, zëdhënësi për polici dhe drejtësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, pranon se ka vonesa të zbatimit të vendimeve, duke shtuar se kjo ndodh në tërë botën dhe nuk është unike vetëm për Kosovën.
“Vonesa e zbatimit të vendimeve gjyqësore veçanërisht të lëndëve civile, është dicka për të cilën, ne pajtohemi se po ndodh dhe ne po punojmë që ta përmirësojmë këtë situatë. Departamenti i Drejtësisë ka krijuar një grup punues të gjykatësve e administratorëve të gjykatave, që të studiojë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore civile," thotë Singh.
Egzistimi i ligjeve kundërthënëse ka komplikuar edhe më shumë zbatimin e vendimeve, shpjegon studimin e Qendrës Kombëtare për Gjykata Shtetërore, Edita Kusari.
“Vështirësia për t’u marrë me numrin në rritje të lëndëve që kanë për qëllim ekzekutimin e vendimeve, është komplikuar për shkak të egzistimit të një sërë ligjesh kundërthënëse në këtë fushë, si dhe për shkak të mungesës së burimeve të besueshme për informata financiare, që do të mund të përdoreshin nga personeli gjyqësor dhe palët”, tha Edita Kusari.
Deputeti Arsim Bajrami thotë se parregullsi nuk ka vetëm në fushën e civile, por në të gjithë sistemin e drejtësisë.
“UNMIK-u nuk ka arritur të sigurojë një gjyqësi të pavarur, sepse jo vetëm që ka raste të shpeshta që nuk zbatohen vendimet e gjykatës, por ka edhe ndërhyrje administrative në punën e gjykatave. Kjo flet për nevojën që gjyqësia të bartet në kompetencë të institucioneve të Kosovës,” thotë Bajrami.
Neeraj Singh mohon se sistemi i drejtësisë në Kosovë ndikohet nga politika.
“Në të vërtetë nuk mund të them se nuk ka kurrë asnjë ndërhyrje politike, por sistemi i vendosur siguron që ajo ndërhyrje nuk ka ndikim në gjyqësi. Për t’u siguruar pavarësia e gjyqësisë ne kemi shumë institute dhe mekanizma, që mbrojnë gjyqësinë nga çdo ndërhyrje politike dhe një nga to është edhe Këshilli i Gjyqësor Prokurorial”, tha Singh.
Përmirësimi i zbatimit të vendimeve gjyqësore civile është përcaktuar si prioritet në kuadër të Planit Implementues të Standardeve për Kosovën, në pjesën ku flitet për sundimin e ligjit.
Studimi i Qendrës Kombëtare për Gjykata Shtetërore rekomandon ndër të tjera hartimin dhe miratimin e një ligji të ri mbi procedurat e ekzekutimit, si dhe trajnimin e nënpunësve ekzekutivë të gjykatave.

XS
SM
MD
LG