Ndërlidhjet

DEDAJ: PËRMBUSHJA E STANDARDEVE PROCES NË VAZHDIMËSI


Gjergj Dedaj, kryetar i Partisë Liberale të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dedaj, mbledhja e fundit e Grupit të Kontaktit në Nju Jork është përqendruar në çështjen e bartjes së përgjegjësive dhe përmbushjes së standardeve. Si i shihni ju këto çështje mjaft aktuale në Kosovë?

GJERGJ DEDAJ
Kujtoj se përmbushja e përgjegjësive është një detyrë e përhershme e klasës politike të Kosovës, por edhe e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne duhet të ofrojmë standardet dhe të jemi të përkushtuar që t’i plotësojmë qoftë vlerat, normat apo standardet për Kosovën, sepse kështu do të dëshmojmë se jemi të gatshëm për të ndërtuar një shtet të ri demokratik, ku do të respektohen të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallime etnike apo dallime të tjera. Pra ta krijojmë një shoqëri ligjore, që do të ketë norma, vlera dhe mbi këto vlera ta bëjmë ofertën për hapjen e proceseve për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës dhe për integrimin e Kosovës në të gjitha strukturat evroatlantike.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dedaj, diskutues të ndryshëm në Grupin e Kontaktit kanë kërkuar nga UNMIK-u që të bëjë zgjerimin e bartjes së kompetencave tek institucionet e Kosovës. Sipas jush, cilat janë fushat më prioritare ku duhet të bëhet bartja e kompetencave, si për përmbushjen e standardeve, ashtu edhe për funksionimin e proceseve të tjera?

GJERGJ DEDAJ
Kujtoj se pas zgjedhjeve të 23 tetorit, të cilat kanë një domethënie të rëndësishme dhe janë vendimtare për të ardhmen e Kosovës, gradualisht duhet të transferohen kompetencat nga faktori ndërkombëtar tek faktorët vendorë, të cilët duhet t’i kuptojnë kompetencat, jo si dhuratë, por si përgjegjësi dhe gadishmëri për t’u përballur me të gjithë sfidat dhe problemet e qytetarëve të Kosovës, por edhe për t’i përmbushur standardet dhe normat evroperëndimore. Kujtoj se në fushën e sigurisë, në fushën e drejtësisë dhe në atë të politikës së jashtme, duhet të formohen edhe ministritë përkatëse, në mënyrë që Kosova të mos mbetet e izoluar, por të hapet ndaj Evropës, ndaj SHBA-ve dhe ndaj gjithë botës. Përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Sigurisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, kosovarët do të kenë më shumë mundësi që të dëshmohen dhe të tregojnë një gadishmëri për bashkëpunim, hapje dhe integrim të Kosovës në strukturat që u përmendën më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dedaj, ndërkaq, një nga standardet që kërkohet të përmbushet si prioritar, është edhe çështja e decentralizimit. Si e shihni ju përfshirjen e Beogradit në çfarëdo forme në procesin e decentralizimit në Kosovë?

GJERGJ DEDAJ
Partia Liberale e Kosovës është gjithnjë e mendimit se në radhë të parë çështja e decentralizimit, e organizimit të brendshëm territorial të Kosovës duhet të jetë çështje e institucioneve të Kosovës dhe e qytetarëve të Kosovës. Unë kujtoj se shtetet fqinje, siç është edhe Serbia, fqinji ynë, duhet të kontribuojnë dhe të reflektojnë pozitivisht për stabilizimin e situatës në Kosovë. Por mendoj se nuk është as vendi, as koha, as momenti, madje as nuk duhet të përzihen në çështjet e brendshme të Kosovës. Pra, të sillemi si fqinj, fqinj të mirë dhe së bashku të takohemi në Evropë, në Bashkimin Evropian dhe në strukturat veriatlantike. Kështu vetëm mund të krijohen tensione të reja, kur dihet se Serbia akoma nuk e ka të qartë politikën e saj ndaj Kosovës dhe me mënyrat dhe metodat e veta ende, kërkon që përmes politikave të veta, që për liberalët janë të papranueshme, të krijohen prapë konflikte dhe tensione të reja në Kosovë. Serbia më nuk mund të përzihet në çështjet e brendshme të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, njëkohësisht, serbët e kanë vënë këtë si parakusht për pjesëmarrje në zgjedhje, pra shqyrtimin apo marrjen e pjesëve të veçanta të planit të qeverisë së Serbisë për decentralizimin. Si e shihni ju këtë proces dhe pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje?

GJERGJ DEDAJ
PLK konsideron se ky është një ultimatum. Demokratizimi i shoqërisë kosovare nuk mund të bëhet me ultimatume. Mendoj se serbët e Kosovës dhe të gjitha bashkësitë etnike duhet të jenë pjesë e procesit zgjedhor, pjesë e ndërtimit të institucioneve të Kosovës. Nëse ata largohen nga loja, nuk ua japin mundësinë qytetarëve dhe bashkëkombësve të vet që të jenë pjesë e ndërtimit të shoqërisë, rendit, ligjeve dhe të gjitha atyre që e karakterizojnë një vend siç është Kosova. Kështu që, PLK apelon te të gjitha grupet etnike, e edhe te bashkësia serbe, që t’i lënë lojërat dhe ultimatumet, pasi ato nuk janë zgjidhje dhe të marrin pjesë në këto zgjedhje, në mënyrë që të kemi parlament dhe institucione përfshirëse, ku do të jenë të përfaqësuara të gjitha grupet etnike dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. Mendoj se Serbia po bën një politikë të gabuar duke u munduar që përmes zgjedhjeve në Kosovë, të manipulojë serbët e Kosovës për llogaritë e veta.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, dje e keni filluar edhe zyrtarisht fushatën parazgjedhore. Çfarë pret PLK nga këto zgjedhje?

GJERGJ DEDAJ
PLK tani është më e fortë se asnjëherë më parë. Kemi filluar fushatën parazgjedhore në Prishtinë dhe do të garojmë me 110 kandidatë nga të gjitha rajonet e Kosovës me moton “Po Liberalëve”, në numrin 56, duke konsideruar se t’u thuash po liberalëve, një partie që tashmë është anëtarësuar në Evropë dhe në Internacionalen liberale me seli në Londër, do të thotë t’u thuash po vlerave të Evropës dhe zhvillimit, progresit, privatizimit, ekonomisë së tregut, lëvizjes së lirë, paqes, drejtësisë dhe barazisë në Kosovë. Jemi shumë optimistë se kësaj radhe, Partia Liberale e Kosovës do ta ketë grupin e saj parlamentar në Kuvendin e Kosovës dhe do të jetë një evroparti brenda Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës dhe do të mundohemi që t’i përmbushim dhe t’i sjellim vlerat e Evropës në Kosovë dhe respektivisht, sa më parë që është e mundur ta sjellim Kosovën në Evropë.

Intervistoi Rrahman PAÇARIZI




XS
SM
MD
LG