Ndërlidhjet

R. GULICK: NË KOSOVË KA SHUMË SEKTORË PREMTUES PËR INVESTIME


Albana Isufi, Prishtinë

Biznesmenët amerikanë, ardhja e të cilëve në Kosovë, nga shumë kompani kosovare shihet si mundësi shumë e mirë partneriteti, po vizitojnë sot rajonet më të mëdha të Kosovës për të parë për së afërmi mundësitë e investimeve.
Përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë të institucioneve i kanë siguruar ata, në ditën e parë të misionit amerikan për tregti dhe investime, që filloi dje në Prishtinë, se Kosova është një ambjent i përshtatshëm për investime. Me këtë gjë pajtohet edhe drejtori i Odës Ekonomike Amerikane Rob Gulick.
“Që të jemi korrektë ka shumë sektorë premtues në Kosovë. Disa kompani amerikane, që po qëndrojnë këto ditë në Kosovë, janë duke shikuar mundësitë e investimit në miniera, energjetikë, turizëm. Kanë ardhur edhe disa partnerë tregtarë siç është edhe Coca Cola, që tashmë është emër i njohur për të gjithë,” tha Gulick.
Zoti Gulick, thotë se deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete bashkëpunimi në mes të kompanive amerikane dhe atyre kosovare. Por, vetë vizita e biznesmenëve amerikanë në qendra të ndryshme të Kosovës, ku edhe do të takojnë përfaqësues të shumtë të kompanive kosovare ngjall shpresë se edhe mund të krijohen lidhje të fuqishme tregtare.
“Ne mezi po presim që të krijojmë këto lidhje mes kompanive kosovare dhe amerikane”, tha Rob Gulick, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, duke shtuar se tash për tash kjo është një punë pak e vështirë.
Misioni i parë amerikan për tregti dhe investime si synim kryesor ka krijimin e lidhjeve të fuqishme ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.
“Po mundohemi që të zgjojmë interesimin e tyre që të tërheqim investitorë në të ardhmen në Kosovë”, thotë Rob Gulick.
Zyra Amerikane, e cila edhe ka organizuar këtë mision ka identifikuar fushën e bujqësisë, minierave, industrinë e prodhimeve ushqimore, si prioritete në të cilat nevojitet investimi amerikan.
Ndërkaq, përveç mundësive të mira për të investuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si prioritet përfaqësuesit kosovarë të institucioneve radhisin edhe vetë popullsinë e re, e cila madje nga zëvendëshefi i UNMIK-ut Nikolaus Lambsdorf, është vlerësuar si një pasuri që vlen të çmohet shumë.

XS
SM
MD
LG